Policia e Shtetit/Vijojnë kontrollet në të gjithë vendin, në kuadër të megaoperacionit kombëtar anticannabis të koduar “Territor i pastër”.
✅Si rezultat i kontrolleve, gjenden në qarqet Lezhë, Elbasan dhe Shkodër, dhe asgjësohen në total 5396 fidanë dhe bimë cannabis sativa.
✅Identifikohen 3 shtetas, autorë të rasteve të kultivimit në Lezhë dhe në Elbasan. Vihen në pranga 2 prej tyre, punohet për kapjen e tjetrit.
✅Procedohen penalisht për shpërdorim detyre, kryetarët e fshatrave Gëziq dhe Vinjoll, në qarkun Lezhë, 2 inspektorë pyjesh të zonave, si dhe kryetari i fshatit Bodin, në Elbasan.
Gjatë kontrolleve të kryera me mbështetjen e inteligjencës policore, në vijim të megaoperacionit mbarëkombëtar të koduar “Territor i pastër”, janë goditur disa raste të tjera të kultivimit të bimëve narkotike, konkretisht:
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë zbuluar në pyllin e fshatit Gëziq, një hapësirë që ishte përshtatuar për kultivimin e bimëve narkotike. Në këtë ambient u gjetën 500 fidanë cannabisi në kubikë, gati për t’u kultivuar në tokë, të cilët u asgjësuan nga Policia. Në vijim të veprimeve hetimore për këtë rast u vu në pranga shtetasi M. Gj., 35 vjeç dhe u shpall në kërkim vëllai i tij, shtetasi P. Gj., 32 vjeç. Gjithashtu, për këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin Gj. B., 63 vjeç, kryetar i fshatit Gëziq dhe për shtetasin P. Ç., 65 vjeç, specialist pyjesh për zonën e Gëziqit.
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin kanë gjetur në territorin e fshatit Vinjoll, Kurbin, 288 bimë narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me anë të djegies. Për këtë rast nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Vinjoll, shtetasin I. B., 52 vjeç dhe për shtetasin M. Gj., 36 vjeç, inpektor pyjesh në fshatin Vinjoll.
-shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan gjetën në terren malor, në fshatin Bodin, 29 bimë narkotike cannabis sativa. Për këtë rast, u arrestua autori i dyshuar, shtetasi F. B., 44 vjeç. Gjithashtu, u proceduan penalisht kryetari i fshatit Bodin, për shpërdorim të detyrës, dhe xhaxhai i të arrestuarit, për moskallëzim të krimit.
-shërbimet e DVP Shkodër kanë gjetur në territorin e njësive administrative Shalë, Pult, Postribë dhe Temal, 4167 fidanë dhe 412 bimë narkotike cannabis sativa.
Strukturat hetimore të drejtorive vendore të Policisë Shkodër, Lezhë dhe Elbasan, në bashkëpunim me prokuroritë respektive, vijojnë punën për identifikimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.
Megaoperacioni “Territor i pastër” vijon.