Një 34-vjeçar ra në pranga nga blutë e Gjirokastrës.
Sipas informacioneve nga policia, 34-vjeçari së bashku me nënën e tij akuzohen për kultivim kanabisi.
Policia thotë se u asgjësuan 128 fidanë të cilët ishin mbjellë në oborrin e banesës në Gjirokastër.
Nëna e 34-vjeçarit u procedua në gjendje të lire, teksa materialet i kanë kaluar Prokurorisë.
Njoftimi i policisë:
Gjirokastër/Kontrolle intensive të territorit, në kuadër të planit operacional kombëtar të koduar “Territor i pastër”.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Befasia”, për goditjen e një rasti të tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Vihet në pranga një 34-vjeçar, procedohet në gjendje të lirë nëna e tij.
Asgjësohen 128 fidanë cannabis sativa që u gjetën në oborrin e banesës së tyre, në fshatin Mashkullorë.
Në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Territor i pastër”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e tentativave për kultivimin e bimëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, bazuar dhe në inteligjencën policore, kanë intensifikuar kontrollet në terren.
Në këtë kuadër, si rezultat i informacioneve të siguruara në rrugë operative, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër finalizuan me sukses operacionin e koduar “Befasia”, si rezultat i të cilit u godit një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike.
Për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi I. D., 34 vjeç, banues në fshatin Mashkullorë, njësia administrative Cepo, si dhe u procedua në gjendje të lirë nëna e tij, shtetasja V. D., 56 vjeçe, pasi në oborrin e banesës së tyre u gjetën të mbjellë në kubikë, 128 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët u asgjësuan nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.