Qeveria miratoi vlerat për secilin element përbërës të pagës bruto mujore, të kompensimeve të tjera financiare, që përfitojnë punonjësit e policisë së burgjeve gjatë qëndrimit në punë, por edhe procedurat e përfitimit të këtyre kompensimeve
Në vendimi përcaktohen elementet përbërëse të pagës bruto mujore dhe vlerat për secilin element për punonjësit e Policisë së Burgjeve janë, si më poshtë vijon:
- a) “Paga për gradë”, që përfaqëson nivelin e pagës së punonjësit, në përputhje me gradën që ka fituar brenda rolit përkatës. Vlera e pagës për gradë përcaktohet në lidhjen nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij;
- b) “Shtesa për natyrë të veçantë pune”, që është shtesa për shkak të natyrës së veçantë të punës apo të shërbimit, për kohën që punonjësit ushtrojnë detyrat funksionale (sipas pozicioneve të miratuara në organikë) dhe që përcaktohet:
- c) “Shtesa për vjetërsi në shërbim”, që është shtesa që përfiton punonjësi i Policisë së Burgjeve me grada, për kohën e qëndrimit në gradë/shërbim dhe aplikohet në masën 1 (një) për qind, pas çdo viti pune. Llogaritja e shtesës për vjetërsi shërbimi bëhet mbi pagën e gradës “inspektor”, të rolit bazë.
Për efekt të llogaritjes së shtesës për vjetërsi në shërbim, vite shërbimi konsiderohen ato të qëndrimit në shërbim, të dokumentuara në librezën e punës apo në mungesë të librezës së punës me çdo dokument tjetër ligjor, të lëshuar nga organet kompetente përkatëse, sipas legjislacionit në fuqi, të çdo punonjësi në strukturat e Policisë së Burgjeve, Policisë së Shtetit, Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin, Gardës së Republikës së Shqipërisë, Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore dhe Shërbimit Informativ të Shtetit, sipas ekuivalentimit në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave.
Vitet që përjashtohen nga llogaritja e shtesës së vjetërsisë së shërbimit, vetëm për efekt pagese, janë vitet e sigurimit vullnetar të vetëpunësimit, vitet e punës, si punonjës pa gradë, vitet e shërbimit ushtarak për meshkujt, vitet e shkollimit në institucionet e arsimit ushtarak të Ministrisë së Brendshme, të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, si dhe periudhat e trajtimit me pagesë papunësie apo pagesë kalimtare.
Aspirantët, që ushtrojnë detyrën në Policinë e Burgjeve gjatë periudhës 1-vjeçare, pas përfundimit të trajnimit trajtohen në pagë, në masën 80% të pagës së gradës “inspektor”, që llogaritet si shumë e dy elementeve të pagës, pagës për gradë dhe shtesës për natyrë të veçantë pune, sipas pozicionit ku ushtrojnë detyrën.
Kompensimi për shpenzimet e udhëtimit
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij, në rast pamundësie të garantimit nga institucioni të transportit, nga vendbanimi deri në vendin e punës, përfiton kompensim për shpenzimet e udhëtimit.
Masa e kompensimit të shpenzimeve të udhëtimit, sipas pikës 1, të këtij kreu, përcaktohet në varësi të distancës në kilometra të vendit të punës me vendbanimin e punonjësit, si më poshtë vijon:
Distanca në kilometra Masa e kompensimit në lekë për muaj
Nga 36 km deri 60 km 3 000 lekë/muaj
Nga 61 km deri 100 km 5 000 lekë/muaj
Nga 101 km deri 150 km 8 000 lekë/muaj
Nga 151 km deri 200 km 10 000 lekë/muaj
Mbi 200 km 15 000 lekë/muaj
Për përfitimin e kompensimit për shpenzimet e udhëtimit, punonjësi paraqet në institucionin ku është transferuar dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Kërkesën me shkrim, pranë institucionit ku është i punësuar punonjësi;
- b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
- c) Certifikatën e gjendjes civile familjare;
ç) Vërtetimin nga njësia e vetëqeverisjes vendore për vendbanimin e familjes dhe të vetë punonjësit, pavarësisht nga gjendja civile;
- d) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi është pronar i një banese, në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar;
- dh) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi ka aplikuar për legalizim banese, në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve e përfiton kompensimin për shpenzimet e udhëtimit në masën dhe sipas rregullave të përcaktuara në këtë kre, deri në momentin e sistemimit me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
Kompensimi për qiratë e banesës
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit të tij të përhershëm, për shkak të detyrës ose për nevoja pune, kompensohet për qiranë e banesës, në rastet kur fjetja, transporti dhe ushqimi nuk sigurohen nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Këtë kompensim punonjësi e përfiton nëse transferohet ose komandohet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale në largësi mbi 36 (tridhjetë e gjashtë) km nga vendbanimi i tij i përhershëm.
Masa e kompensimit për qira banese për punonjësin e Policisë së Burgjeve, sipas përcaktimit të pikës përcaktohet në varësi të personave në ngarkim që ka punonjësi, si më poshtë vijon:
Numri i personave në ngarkim
Sipërfaqja e banesës për të cilën i kompensohet qeraja e banimit
I vetëm 43.93 m²
Punonjësi dhe një person në ngarkim 56.47 m²;
Punonjësi dhe dy persona në ngarkim 79.74 m²;
Punonjësi dhe tre persona e më shumë në ngarkim 80.50 m².
Numri i personave, pjesëtarë të familjes, në ngarkim të punonjësit të Policisë së Burgjeve, vërtetohet nëpërmjet certifikatës së gjendjes së tij familjare.
Njësia shpenzuese në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve bën kompensimin e qirasë së banesës së punonjësit të Policisë së Burgjeve, përkundrejt paraqitjes së kontratës së qirasë, në vlerë jo më të madhe se vlera minimale e qirasë, e përcaktuar në vendimin përkatës të Këshillit të Ministrave, për përcaktimin e vlerës minimale të çmimit të referencave të qirave të ndërtesave, për qëllime tatimore. Vlera minimale mujore e çmimit të shitjes për metër katror sipërfaqe ndërtese të dhënë me qira do të përllogaritet në bazë të vlerës mesatare të shitblerjeve të banesave në tregun e lirë, sipas njësive administrative, të përcaktuara në udhëzimin e Këshillit të Ministrave, “Për miratimin e kostos mesatare të ndërtimit të banesave nga Enti Kombëtar i Banesave”, që miratohet çdo vit.
Për përfitimin e kompensimit për qira banese, punonjësi paraqet në institucionin, ku është transferuar, dokumentacionin e mëposhtëm:
- a) Kërkesën me shkrim pranë njësisë buxhetore ku është i punësuar;
- b) Fotokopjen e kartës së identitetit;
- c) Certifikatën e gjendjes familjare;
ç) Kontratën e noterizuar të qirasë së banesës në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku punonjësi është transferuar ose komanduar;
- d) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, që punonjësi nuk ka banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar;
- dh) Vërtetimin nga zyra vendore e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, nëse punonjësi nuk ka aplikuar për legalizim banese në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
Përcaktimi i apartamentit të banimit, që punonjësi i Policisë së Burgjeve do të marrë me qira, si dhe i masës së pagesës së qirasë, sipas përcaktimeve në këtë kre, bëhet nga një komision vlerësimi në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, i cili përzgjedh ofertën më të leverdisshme, mbi bazën e shqyrtimit të 3 (tri) ofertave të marra nga ky punonjës, nga 3 (tri) shoqëri imobiliare.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, pasi merr miratimin për ofertën e përzgjedhur, sipas përcaktimit në pikën 7, të këtij kreu, nënshkruan kontratën e qirasë së apartamentit të banimit për një periudhë 6-mujore, me të drejtë ripërtëritjeje me të njëjtat kushte. Kontrata e qirasë, detyrimisht, duhet të bëhet në një zyrë noterie.
Procedurat standarde të punës për verifikimin e vërtetësisë së dokumentacionit të paraqitur nga punonjësi i Policisë së Burgjeve të lidhjes e të zbatimit të kontratës së qirasë dhe pagesës së qirasë së banesës, sipas përcaktimeve të këtij kreu, miratohen me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve, që përfiton kompensim për qiranë e banesës, nuk përfiton kompensimin e shpenzimeve të udhëtimit.
Fondi i përcaktuar për kompensimin e qirave të banesave, sipas parashikimeve të këtij kreu, planifikohet çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Burgjeve.
Përfitimi i kompensimit për qiranë e banesës vazhdon deri në ndryshimin e vendbanimit të punonjësit, që nënkupton sistemimin me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
Trajtimi me ushqim pa pagesë ose kompensimi i shpenzimeve të ushqimit
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve i siguron punonjësit të Policisë së Burgjeve, në rastet kur transferohet ose komandohet jashtë vendbanimit, trajtimin me ushqim pa pagesë:
- a) me një vakt, kur kohëzgjatja e punës së punonjësve të Policisë së Burgjeve është 8 (tetë) orë;
- b) me tri vakte, kur punonjësit e Policisë së Burgjeve janë të angazhuar në shërbime apo gatishmëri dhe kohëzgjatja e shërbimit ose e gatishmërisë zgjat 24 (njëzet e katër) orë.
Normat e ushqimit ditor të kalorive për të gjithë punonjësit përfitues, sipas pikës 1, të këtij kreu, miratohen me udhëzim të përbashkët të ministrit përgjegjës për Policinë e Burgjeve dhe të ministrit përgjegjës për shëndetësinë, ku përcaktohen:
- a) normat e artikujve ushqimorë, brenda limitit të miratuar të kalorive, duke ruajtur raportin e njësive ushqimore;
- b) normat e zëvendësimit të artikujve ushqimorë;
- c) normat e pajisjeve dhe të materialeve të shërbimit të ushqimit.
Në rastet kur Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk siguron trajtimin me ushqim pa pagesë, punonjësit të Policisë së Burgjeve i jepet një kompensim në vlerë monetare për shpenzimet e ushqimit, për ditët efektive të punës. Vlera e kompensimit (në lekë) të shpenzimeve të ushqimit bëhet bazuar në normën e përcaktuar ushqimore dhe miratohet nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve.
Punonjësi i Policisë së Burgjeve përfiton trajtimin me ushqim pa pagesë apo kompensimin e shpenzimeve të ushqimit, sipas këtij kreu, deri në momentin e sistemimit me banesë në territorin e bashkisë ku ndodhet institucioni i ekzekutimit të vendimeve penale, ku ai është transferuar ose komanduar.
Fondi i përcaktuar për këtë qëllim planifikohet për çdo vit në programin buxhetor të Policisë së Burgjeve.