Vrasja e “Dodës”, i akuzuari Gëzim Balla ndërhyn live “Në Shënjestër”, zbulon emrin e personit që bleu furgonin e krimit (VIDEO)

Emisioni “Në Shënjestër” i gazetares Klodiana Lala riktheu vrasjen e ish-oficerit të antidrogës në Elbasan, i njohur si “Doda”, në vitin 2009, pas zbardhjes së detajeve të reja nga hetimet. Provat e mbledhura në një furgon identifikuan si një nga autorët Donald Hoxhën. Ky i fundit ka zbuluar Gëzim Ballën si të përfshirë në krim, në një nga dëshmitë e tij para hetuesve.

I shpallur në kërkim, Gëzim Balla ndërhyri në emisionin “Në Shënjestër” dhe mohon akuzat që të ketë lidhje me vrasjen. Ai përmend emrin e një personi të quajtur Ervis Fetahu i cili sipas Ballës ka blerë furgonin që u përdor për ekzekutimin e “Dodës”.

Klodiana Lala: Cili është qëndrimi juaj në raport me akuzën e Prokurorisë?
Gëzim Balla: Përveç Donald Hoxhës, në atë dosje nuk njoh asnjë. Nuk kam patur asnjëherë lidhje as shoqërore.

Klodiana Lala: Cili është raporti juaj me Donald Hoxhën? është ekstraduar nga Britania e Madhe…
Gëzim Balla: Njohja është ajo që ka thënë ai. Furgonin që bëhet fjalë e ka gjetur Ervis Fetahu.

Klodiana Lala: Doni të shfajësoni veten tuaj, por përmendni emra që nuk janë të dokumentuar në dosje. Mund t’ia dërgoni Prokurorisë në forma të tjera. Ju e mohoni kategorikisht përfshirjen në këtë ngjarje?
Gëzim Balla: Unë dhe Donaldi e kemi marrë furgonin dhe e kemi çuar deri te stadiumi.

Klodiana Lala: Kishit dijeni ju që do të përdorej për vrasje?
Gëzim Balla: Jo, jo. Absolutisht që jo.

Klodiana Lala: Kur konstatuat që ky automjet u përdor në ngjarje, pse nuk shkove në Prokurori të tregoje që s’ke lidhje?
Gëzim Balla: Pas një muaji e kemi marrë vesh që furgoni u përdor për këtë punë. Ku të shkoja? Me këto hasmëri që janë atje… Mua edhe tani që më morën e më pyetën, më kanë ardhur në shtëpi me presione, largohu nga Elbasani.

Klodiana Lala: Donald Hoxha ju ka thirrur një javë më vonë pasi automjeti është përdorur në ngjarje. Keni dijeni për këtë dëshmi?
Gëzim Balla: Atë nuk e mbaj mend unë. Ne kemi qenë të tre, personi i tretë ka porositur furgonin dhe t’i dalë për zot se ku e ka çuar. Ne e morëm dhe ia dorëzuam te stadiumi. Por se ku e ka çuar ai…

Klodiana Lala: Ju dhash mundësi të flisnit “Në Shënjestër” për të sqaruar pozicionin tuaj, por pse nuk dorëzoheni?
Gëzim Balla: Jam i gatshëm të dorëzohem. Nuk fshihem për shkak të Prokurorisë apo të shtetit. Kur jam marrë në pyetje në Elbasan para dy muaj, në darkë më sollën letër në shtëpi që të largohesh nga Elbasani se do kesh probleme. Se kush ishte nuk e di. Për këto arsye jam larguar nga Elbasani. Unë dhe Donald Hoxha nuk kemi patur dijeni fare se për çfarë është përdorur furgoni.

()

Arena e Lajmit

Vrasja e “Dodës”, i akuzuari Gëzim Balla ndërhyn live “Në Shënjestër”, zbulon emrin e personit që bleu furgonin e krimit (VIDEO)

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook