Grupi parlamentar i PDIU-së kërkon heqjen e ligjit absurd të luftës me Greqinë

Grupi parlamentar i PDIU-së “Drejtësi dhe Integrim” deklaroi nga Kuvendi i Shqipërisë dhe kërkoi sot nëpërmjet një projekt –deklarate, që qeveritë e dy vendeve të nisin iniciativën për abrogimin e ligjit absurd të Luftës, duke i dhënë fund skozofrenisë ballkanike që Greqia mban me Shqipërinë prej 84 vjetësh.
I shoqëruar nga kryetarja e grupit parlamentar, deputetja Mesila Doda dhe deputetët, Nustret Avdulla e Gëzim Ademaj, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi deklaroi para mediave se:
Deklarata është dhe dëshmi e politikës sonë paqësore por të vendosur, për të gjetur një zgjidhje pas 84 vitesh, në lidhje me një absurd juridik të mbështetur mbi një absurd historik.
Dialogu midis dy vendeve tona duhet të jetë konkret, me kërkesa me vlerë reale dhe të pashterueshme nga koha.
Por, me keqardhje vërehet se ndryshe nga fryma dhe gërma e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, në dhunim të hapur të shumë neneve të tij;
Megjithë vullnetin politik të shprehur publikisht në mënyrë të përsëritur nga përfaqësues të lartë të Greqisë, zgjidhjet e negociuara për ta shfuqizuar atë dhe adresuar pasojat ligjore të tij, Ligji i Luftës Nr. 2636/40 mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte.
Ligji në fjalë padyshim është një absurd!!
Në vitin 1999, ministria e jashtme greke pohon me shkresën zyrtare për ministrinë e jashtme të Republikës së Shqipërisë se ligji 2636/40 është në fuqi.
Vetë ministri i jashtëm i Greqisë, Kotzias shprehej se Ligji i Luftës “Është një budallallëk historik, i cili duhet të mbarojë. Nuk duhet të ketë as edhe një dyshim formal se te dy vendet mund të jenë ne gjendje lufte. Kjo është çëshja kryesore që duhet zgjidhur pozitivisht”.
Po ashtu edhe Ministri i Jashtëm Dendias gjatë vizitës në Tiranë deklaroi se: “Sa i perket ligjit të luftës… Kjo gjë është një anakronizëm, jam i sigurtë se edhe këtë do ta zgjidhim së bashku. Dhe është gëzim i madh për mua që kam mundesinë ta them këtë gjë këtu, nga Tirana, me urdhër të Kryeministrit Mitsotakis”.
Ai deklaroi se do të nisin procedurat per abrogimin e ligjit, i cili daton qe nga viti 1940.
Ky ligj ushtron implikime të rëndësishme në kufizimin e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë dhe është një akt që mban gjallë irredentizmin e qarqeve të caktuara ekstremiste greke.
Më 28 tetor 1940, Mbretëria e Greqisë shpalli Ligjin e luftës me dekretin 2636, të pasuara nga një sërë ligjesh të tjera pjesë e sistemit juridik grek.
Kërkesat e paraqitura në këtë deklaratë kanë bazament juridik, jo territorial dhe jo historik.
Deklarata e plotë:
“Kuvendi i Shqipërisë, duke vlerësuar rëndësinë e madhe dhe nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve dypalëshe strategjike me Greqinë, si dhe vullnetin e dyanshëm për t’i përmirësuar e thelluar ato në të mirë të dy vendeve dhe popujve tanë, si dhe kontributin për forcimin e paqes, sigurisë dhe bashkëpunimit në rajonin tonë.
Duke mbajtur parasysh se dy vendet tona janë anëtare të Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe në këtë kuadër bashkëpunojnë pa rezerva për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes tonë të përbashkët.
Duke mbajtur shënim kontributet e përbashkëta të vendeve tona në organizatat e bashkëpunimit për paqen, sigurinë dhe të drejtat e njeriut, në rradhë të parë OSBE dhe KiE.
Duke vlerësuar kontributin e Greqisë për ecjen përpara të proceseve integruese në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor, dhe bashkëpunimin në organizatat rajonale përkatëse.
Duke mbajtur parasysh se midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë është nënshkruar “Traktati i Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë.”
Duke mbajtur shënim se marrëdhëniet mes vendeve tona kanë ecuri pozitive dhe se të dy vendet, në frymën e mirëkuptimit dhe në të mirë të dy popujve tanë, kanë bashkëpunuar për të zgjidhur çështjet e hapura mes vendeve tona.
Vëren se, ndryshe nga fryma e “ Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ”, si dhe nga vullneti politik i dyanshëm i shprehur në mënyrë të përsëritur, Ligji i Luftës Nr. 2636/40, mbetet ende në fuqi dhe vijon të prodhojë disa nga efektet negative që lindin kur shtetet janë në gjendje lufte;
Me synimin dhe dëshirën për të zgjidhur edhe këtë çështje të trashëguar nga një e kaluar që nuk mund të kthehet,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
– I bindur në vullnetin e mirë të Parlamentit të Republikës së Greqisë për t’i dhënë shtysë pozitive marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë, duke bërë përpjekje konstruktive për të zgjidhur çdo çështje të hapur,

– Fton Parlamentin e Republikës së Greqisë të mbështesin përpjekjet e qeverisë së tyre për jetësimin e vullnetit politik të shprehur më shumë se një herë nga Ministrat e Jashtëm të Republikës së Greqisë për abrogimin e Ligjit të Luftës Nr. 2636/40 me Shqipërinë, dhe në këtë frymë pozitive të marrin në konsideratë e të miratojnë çdo instrument ligjor që do ti shërbente korrigjimit të kësaj situate që nuk përputhet me realitetet e marrëdhënieve dypalëshe Shqipëri-Greqi.

– Në përputhje me angazhimin ndërparlamentar të parashikuar në Traktatin e
miqësisë, bashkëpunimit reciprok, sigurisë mes dy vendeve, ne bëjmë
thirrje të krijohet një grup pune mes dy Parlamenteve që të kontribuojë
zyrtarisht në këtë drejtim, apo në adresimin e çdo problemi të ngjashëm në
marrëdhëniet mes dy vendeve tona sipas parimeve të njohura të
bashkëpunimit ndërkombëtar.

Gjithashtu,
KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

– I kërkon Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë të bëjë çdo përpjekje me qeverinë e Greqisë për abrogimin e Ligjit Nr. 2636/40, dhe pasojat juridike që burojnë nga ky ligj.
– I kërkon Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme që, në vijim të kontributeve të konfirmuara të politikës sonë të jashtme për fqinjësi të mirë, për paqe dhe për siguri, të mbajë të informuar rregullisht Kuvendin e Shqipërisë dhe partnerët tanë euroatlantikë NATO dhe BE për përpjekjet sistematike të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, në bashkëpunim me qeverinë e Republikës së Greqisë, për zgjidhjen e kësaj çështje të bartur nga e kaluara”.

Arena e Lajmit

Grupi parlamentar i PDIU-së kërkon heqjen e ligjit absurd të luftës me Greqinë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook