Analisti Artan Hoxha duke komentuar të dhënat e Censit2023 në studion e “Open” në News24 tha se po të shikosh shifrat që kanë nxjerrë ka marrë formën e këpurdhës dhe jo të bredhit.
Hoxha tha se “kemi një dënim me vdekje të shoqërisë, pasi po largohen të rinjtë dhe kanë mbetur të vjetrit”.
“Po shkojmë drejt strukturës së vdekjes së shoqërisë dhe nuk kemi asnjë masë të marrë nga qeveria paraprakisht. Po ti referohemi rënien e lindshmërisë duke krahasuar periudhat 2002-2011 me 2011-2023 dhe na del një dyfishim i rënies së shkallës vjetore të lindshmërisë. Kemi një 4 vjeçar kur rënia është 7% dhe kjo tregon se kemi një rënie të moshës pjellore, kemi emigrimin, pra largim të pjesës së re të shoqërisë”, tha Hoxha.
Ai u shpreh se raporti i INSTAT na nxjerr të barabarta në dy dekada largimet dhe kthimet, 42 me 42 dhe kjo nuk më duket shifër e saktë.
“Dyfishimi i rënies së lindjeve nuk ka se si mos të tregojë se janë larguar shqiptarët e rinj nga vendi. Këto janë shifrat. Ndikimin më të madh në rënien e lindshmërisë e ka emigracioni”, tha Hoxha. Ai u shpreh se nuk është normale edhe shtyrja e afateve në publikimin e të dhënave të Censit2023. “Çdo shtyrje ka një kosto dhe nuk e kuptoj se si nuk shqetësohet askush për këto kosto”, tha ai.