Kandidimi në Himarë i Vangjel Tavos dhe i Petro Gjikurisë do të merret përsipër nga spin-doktorat e opinionit publik shqiptar, për t’u paraqitur në forma të ndryshme në shërbim të interesit politik të radhës, ku jo pak ndikon edhe interesi i huaj kundër interesit kombëtar. Mbi të gjitha, realitetet lokale në zonën e jugut të thellë, e veçanërisht Bashkisë Himarë do të mbeten, si gjithnjë, në dorë të dytë, jo vetëm sepse aktorët, për arsye të ndryshme, do të tentojnë të paraqesin pamje makro të raporteve ndërkombëtare shqiptaro-greke, as vetëm pse klikimet mediatike rriten eksponecialisht nëse trajtohet në këtë formë, por edhe për arsyen e thjeshtë, se pak njerëz politikë ia kanë idenë reale të realiteteve lokale në atë territor, në morinë e gjithçkaanalistëve dhe gjithçkaditurve të jetës sonë publike.
Ndaj, le të shohim pak se çfarë përfaqësojnë dy kandidatët dhe motivet e propozuesve të tyre, problemet e zonës dhe një analizë finale të zgjedhjeve 2024.
Petro Gjikuria
Petro Gjikuria është një dhërmjot, me vetidentifikim grek, i emigruar herët, pas një kalimi të beftë në Greqi, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pas kalimeve të tij të shumta në organizmat e diasporës greke të atyshme, u atashua përfundimisht me Federatën Panepirotike të Amerikës, të drejtuar nga Nikolas Gejxh. Madje, në emër të kësaj federate, përshëndeste takimet në mbrojtje të “çështjes Beleri” pas zgjedhjeve të fundit në Himarë. Për këdo që nuk e mban mend, e veçanërisht për ata që bëjnë sikur nuk e mbajnë mend, Nikolas Gejxh, i lindur në një familje greke në Thesproti (Çamëri) e me peshë në jetën publike amerikane si shkrimtar, ka qenë për vite të tëra “non-grata” në Shqipëri, i caktuar si i tillë në vitin 1995, kur u akuzua, jo pa të drejtë, për ndërhyrje brutale në çështjet e brendshme të Shqipërisë, me synim destabilizimin e saj dhe ngritjen e çështjes “vorioepirotase”. Federata që ai drejton dhe ku Gjikuria është pjesë përbën vatrën e lobimit antishqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe promotore të tezave të dala boje, që as shteti grek nuk i artikulon, si ajo për “Epirin e Veriut”. I mbetur “non-grata” deri më 2005, befas ai rishfaqet në Tiranë, në takime me personat që e akuzuan, jo pa të drejtë, se kishte gisht edhe në përplasjen gati-civile të vitit 1997 dhe tentativën për cënimin e integritetit territorial të Shqipërisë dhe që pati takime të mëvonshme me çdo drejtues politik shqiptar, të cilët shpesh herë raportet ndërkombëtare i shohin si risi personale që mund t’i ndryshojnë, pavarësisht se ato janë statike dhe duan lëvizje ekspertësh.
Nga sa më sipër, propozuesit e tij, kaluan nga një person i dënuar nga shteti grek për armët e marra në Masakrën e Peshkëpisë, ku u vranë dëshmorët e atdheut Fatmir Shehu e Arsen Gjini e u plagosën pesë ushtarë të tjerë, përfshi edhe një minoritar, nga personi që ka përdhosur me vendim të Gjykatës së Strasburgut, simbolet kombëtare të Republikës së Shqipërisë dhe që fill pas zgjedhjeve nisi të flasë për “Vorio Epir”, te një kandidat që bën pjesë në organizmën antishqiptar, që ka punuar haptazi për “Vorio Epirin”, kundër integritetit territorial të Republikës së Shqipërisë, në dëm të raporteve të saj ndërkombëtare, e që ka qenë e ndaluar për vite të tëra përpara kompleksimit total të Shqipërisë në raport me nacionalizimin politik grek, për shkak të paaftësisë politike shqiptare për të gjetur zgjidhje kompromisi reale me një aktor më të fuqishëm në rajon, si Greqia.
Skenarët e kandidimit të tij mund të jenë disa. Së pari, Gjikuria ka akses të plotë në jetën politike greke, të përftuar jo vetëm nga aktiviteti i tij grekoman në SHBA, por më së shumti nga aktiviteti i tij në OMONIA. Së dyti, qasja e tij në disa senatorë amerikanë, që si shtetas amerikan (ose greko-amerikan siç i thotë vetes) e kanë bërë që të shihet, pa arsye, si një peshë përtej Atlantikut, veçanërisht teksa financuesit e tij dëshirojnë të hapin disa dyer të mbyllura prej kohësh. Them pa arsye, sepse kush njeh sistemin politik amerikan e di mirë se lobimi e financimi i kandidatëve nuk ndryshon realitete të shteteve serioze në marrëdhënie ndërkombëtare, në ndryshim nga shtete me politikë jo gjithnjë serioze, ku fatkeqësisht bën pjesë Shqipëria.
Dy skenarët e tjerë kanë motive të ndryshme. Për propozuesit e drejtpërdrejtë, ai përbën një figurë lokale, që do të shitet mirë, për të bindur shumicën shqiptare prej mbi 85% të zonës, se ky “greko-amerikani” me peshë do të mund të ndikojë në çështjen e pronave, dhe do të kalçifikojë votën greke të zonës, që nuk tejkalon 15%. Për një pjesë tjetër të opozitës, ai shihet si individi që mund të krijojë një stërkëmbësh te forca kundërshtare politike, duke e vendosur përballë presionit të një aktori të fuqishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, si fqinji ynë jugor. Po ashtu, hap një derë komunikimi që thyen izolimin, edhe pse kjo vjen në dëm të interesit kombëtar, që politika joserioze e këtij vendi, e trajton si diçka pa rëndësi.
Vangjel Tavo
Vangjel Tavo ka një karrierë më të gjatë politike në këtë vend, ndaj prezantimi i tij nuk ka nevojë për shumë fjali. Ai është zgjedhur deputetë vazhdimisht prej vitit 1996 deri në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke përfaqësuar fillimisht Dropullin, e më pas të gjithë rrethin e Gjirokastrës hiq qytetin (pra Labërinë kurveleshare bektashiane, Labërinë luxhote e zagorite ortodokse dhe Dropullin minoritar). Me ndryshimin e sistemit zgjedhor ai u zgjodh deputet i Qarkut Gjirokastër, deri në zgjedhjet e fundit. Pasi u rikthye në partinë propozuese, tetë vite pasi kishte kaluar në një forcë tjetër politike të majtë, ai u emërua prefekt i Qarkut Vlorë e tanimë u importua, si minoritar, kandidat në Himarën që ka mbi 85% shqiptarë. Nga njëra anë, në 28 vite karrierë politike si deputet, ministër e prefekt, ai ka treguar se është përfaqësuesi i frymës së pakicës greke në vend, që është një pakicë e integruar dhe paqedashëse, shqiptarë patriotë pa ekuivokë në identitetin e tyre shtetëror e njëherazi grekë të pashuar në identitetin e tyre etnik dhe është evidentuar si dikush që gjithnjë u gjendej me telefonin hapur zgjedhësve të tij labë bektashinj Kurveleshi, labë ortodoksë Lunxhërie e Zagorie, e minoritarë Dropulli, si dhe jo pak herë është gjendur në shënjestrën e nacionalizmit politik grek. MAVI, ku Fredi Beleri është akuzuar nga shteti grek se ka bërë pjesë, i ka bërë dy atentate, një në Jorgucat në vitin 1997 dhe një në Athinë në vitin 2001. Edhe pse, kurrë prej tij nuk janë dëgjuar teza nacionaliste në dëm të rendit kushtetues të Republikës së Shqipërisë dhe vota e tij parlamentare nuk është kushtëzuar nga interesa antishqiptare, importimi i tij, duke e kthyer atë bashki në betejë minoritarësh, mbetet gjithsesi i pakuptimtë.
Kandidimi i tij në Himarë edhe pse nuk vjen nga ajo zonë mund të ketë tre skenarë, për të cilën propozuesit e tij nuk e kanë qartësuar tërësisht. Skenari i parë mediatik është se kandidimi i tij ka ardhur prej kombësisë së tij greke për të qetësuar Athinën, që gjeti rastin “Beleri” për të penguar proceset integruese të Shqipërisë. Nëse ky skenar është realist, kemi të bëjmë me naivitet. Së pari, sepse është e panevojshme që për interesa të brendshme të Shqipërisë, të kërkohet të kënaqen aktorë të huaj. Së dyti, të mendosh se të bindurit e elitës politike greke, që është liberale, do të mund të triumfojë ndaj asaj pjese të elitës (përfaqësuar në nivele të larta në qeveri) dhe sidomos burokracisë nacionaliste greke, është mosnjohje e peizazhit politik grek dhe kandidimi i Gjikurisë me hyrje-dalje në ambasadën greke në Tiranë e fakton këtë. Nëse ky skenar mediatik qëndron, propozuesit e tij duhet të qortohen për mungesë të theksuar kreativiteti, teksa emra të tjerë, me peshë në opinionin publik shqiptar e grek, që shqiptarët i quajnë shqiptarë entikisht, e grekët grekë etnikisht, ekzistojnë.
Skenari i dytë mediatik na flet për propozimin e tij për të marrë votën greke të asaj bashkie. Nëse ky skenar është realist, kemi të bëjmë me mosnjohje të thellë të zonës, ardhur edhe prej faktit se prej gati gjysmë dekade në atë zonë nuk ka më përfaqësues lokalë në drejtime politike të dy partive të mëdha, që kanë zgjedhur katapultime nga zona të tjera, duke riskuar që drejtuesit ta njohin zonën vetëm pasi mbarojnë mandatin. Së pari, vota greke në Bashkinë Himarë shkon në 15% dhe nuk është ndikues përballë votës shqiptare që është mbi 85%. Së dyti, ajo votë është kryesisht një votë e nacionalizmit politik, për arsye edhe të mohimit nga ana e shumicës së ekzistencës së një pakice në atë bashki, që ka prodhuar nacionalizëm, në ndryshim nga zonat ku zyrtarisht ekziston minoriteti. Rrjedhimisht, kjo votë nuk do të mund të merret kurrë në masë as nga Tavo e as nga një kandidat tjetër shqiptarë, deri sa të stabilizohet në afatgjatë korrelacioni i nacionalizmit politik në zonë. Vota e OMONIA-s në atë bashki e vërteton këtë. Vota e opozitës që kapi 50% bashkarisht me kandidimin Beleri, do të arsyetohet pak më poshtë, se pse shqiptarët kanë votuar, këtë herë, këtë kandidat.
Skenari i tretë mediatik na flet se Tavo është përzgjedhur si kandidati që ka rrëfyer në jetën e tij publike politike se tejkalon kufijtë komunitarë dhe, duke u marrë me njerëzit e hallet e tyre, abstragon nga vota komunitare. Bashkia e Himarës, e përbërë nga labë bektashinj Kurveleshi dhe Borshi, Fterre e Sasaj, labë ortodoksë bregdeti (Vuno, Pilur, Qeparo, Kudhës, Ilias, Nivicë, Shën Vasil, Lukovë, Piqeras, Çorraj) dhe greqishtfolës me vetidentifikim shqiptar a grek (Himarë, Dhërmi, Palasë), i përngjan së shumti zonës së tij të kahershme elektorale në Gjirokastër të trajtuar më lartë. Si i tillë, ai si një politikan shqiptar i mirë, përtej etnisë e fesë, do të mundte të triumfonte, sipas propozuesve të tij.
Nevojat e zonës dhe ndarja elektorale
Ndarja elektorale në Bashkinë Himarë është e qartë. Vota shqiptare është mbi 85% dhe ajo greke nën 15%. Kjo e dyta është kompakte rreth OMONIA-s, në ndryshim nga minoriteti i njohur ku OMONIA përbën 20% të votave, për arsye që ka nevojë për një artikull të veçantë. Vota opozitare shqiptare shkon në nivelet e 30%, e përqëndruar në ish-Komunën Lukovë, për shkak se në Njësinë Administrative Himarë, prej lojrave në mbështetje të PBDNJ, thuajse të gjithë themeluesit e PD-së sot kanë kaluar me PS.
Fredi Beleri arriti në zgjedhjet e fundit, me një fushatë brilante e moderne, me premtime që ceknin thellësisht problemet e zonës, të triumfonte vetëm në Himarë dhe Dhërmi me numër shumë të lartë emigrantësh, aty ku është e përqëndruar edhe vota greke në Njësinë Administrative Himarë. Në fshatrat e tjera (Palasë, Ilias, Vuno, Pilur, Kudhës dhe Qeparo), ai humbi. Ai mori votën tradicionale opozitare (si dhe ca vota të blera sipas vendimit të formës së prerë të gjykatës), rreth 10% në Himarën malore kurveleshase dhe rreth 30% në Borsh, ku investimet bashkiake mungojnë prej 3 dekadash. Pa habi, humbi Fterrën, Çorrajn, Sasajn dhe Piqerasin.
Habitshëm për sytë që nuk njohin zonën fitoi bindshëm në fshatrat patriotike shqiptare Nivicë, Shën Vasil dhe Lukovë. Nivica, fshati i parë i bregut që hapi shkollën shqipe dhe që edhe sot mbisundojnë flamujtë shqiptarë, prej vitit 2005 voton PBDNJ, pas tradhtisë së partive të mëdha shqiptare me çështjen e plazhit të Kakomesë. Kush nga kandidatët do të bindë banorët se ai plazh do të zhvillohet vetëm pasi banorët të kenë marrë çfarë meritojnë, do të fitojë me të drejtë në Nivicë. Shën Vasili, historikisht fshat i majtë, ndërroi dorën në zgjedhjet e fundit, pas një absurdi të një vendimi për heqjen e AMTP-ve të banorëve në një plazh tjetër të lakmuar dhe ndër më të bukurit e zonës, si Krorëza. Sot, kjo çështje është zgjidhur në favor të atyre banorëve. Kush do të bindë banorët se ai plazh do të zhvillohet vetëm pasi banorët të kenë marrë çfarë meritojnë, do të fitojë me të drejtë në Shën Vasil. Lukova, historikisht një fshat i djathtë, këtë herë votoi Fredi Belerin, pas lajmeve se plazhi i Lukovës do të kalonte për zhvillim masiv dhe thashethemit të rremë se do të ndodhte si me Kakomenë dhe Krorëzën. Sot, ky thashethem është provuar i rremë. Kush do të bindë banorët se ai plazh do të zhvillohet vetëm pasi banorët të kenë marrë çfarë meritojnë, do të fitojë me të drejtë në Lukovë.
Çështja e pronave, si çështje themelore, nuk ndikon kryesisht në NJA Himarë, siç zhurma e prodhuar nga Athina ndikon në Tiranë të besohet. Aty, prona e ndarë keqazi me ligjin 7501, ka vendosur përballë kushërinj që zihen me njëri-tjetrin dhe me ndihmën e ndërtuesve të mëdhenj të Tiranës ia dalin të triumfojnë ndaj kushëririt tjetër. Aty nuk ka mbetur kush pa fituar sadopak. Dhe ndaj, aty, kjo sherrnajë lokale, e prodhuar nga njerëz lokalë dhe jo nga politika qendrore në Tiranë, ka sjell që çdo kryetar bashkie, me përjashtim të parin Odhise Goron (1992-1996), kryetarë të PS, PD dhe PBDNJ, të gjithë pa përjashtim partiak, kanë provuar prangat dhe burgun. Aty, po ashtu, vota është e sendërtuar në votë me linjë etnike dhe vetëm ardhja ose jo disproporcionale e emigrantëve do të ndikojë. Fushata dhe pronat jo. Vota e pakët e protestës, që kalon vijat etnike, me zgjidhjen e çësthjeve të certifikatave të pronësisë, që Tavo ka nisur, është ndikuese, por jo në masë të madhe. Në jug të asaj bashkie, në fshatra mirfilltazi dhe patriotike shqiptare, pronat e Kakomesë, Krorëzës dhe Lukovës e ndoshta në të ardhmen edhe të Bunecit të Piqerasit, ndikojnë në votë, ku qoftë dhe më i keqi ai përballë, padrejtësia e partive të mëdha shqiptare, që më 2011 me kontratë ia dhanë ndërtimin e Kakomesë privatëve, pa kënaqur banorët, mund të fitojë si votë proteste, dhe jo si votë antishqiptare.
Çështje të tjera, si mosinvestimi në Labërinë bregdetare përtej vijës së parë të detit, mungesat e linjave të rrugëve e çështjeve të ujit të Labërisë kurveleshare, si dhe probleme të tjera të akumuluara të realitetit të politikës vendore, ndikojnë po ashtu në votë.
Alternativat
Në këtë panoramë të asaj bashkie, që tentova të bëj pa asnjë dorashkë, partitë e mëdha opozitare gjenden përballë tri zgjidhjeve. Zgjidhja e parë është të dalin haptazi e të mbështesin kandidatin që punon për “Vorio Epirin” në garë kundër integritetit territorial të Shqipërisë, si dhe të dalin haptazi dhe të kandidojnë në zgjedhjet e ardhshme Radojçiçin në Qarkun Kukës. Si person që çdo rrënjë e kam nga ajo zonë, nuk mund të mbyll sytë përballë një shëmtie politike që është gati të bëjë gjithçka për interesat e veta, duke ndryshuar artificialisht balanca qindravjeçare kundër interesit të atyre banorëve, që janë patriotë shqiptarë mbi 85% e grekë realë që padrejtësisht nuk i kemi njohur nën 15% . Zgjidhja e dytë është të mos mbështesë asnjë kandidaturë dhe nën rrogoz, të punojë për kandidatin që mbështet Nikolas Gejxhin, lobimin më të fuqishëm antishqiptar në SHBA, sipas parimit hedh gurin e fsheh dorën. Zgjidhja e tretë është ajo e Kalit të Trojës, që me maskë nacionalizmi, të mbështesë antishqiptarinë, si me kandidaturën fiktive bektashie të punësuar nga Bollano, që u kandidua pas një telefonate me Athinën në viti 2015. Për këtë skenar, nëse ndodh, do ta arsyetoj në artikull të veçantë, por më duhet të saktësoj se duhet të jemi të kujdesshëm në mosndarje etnike e fetare në asnjë zonë të vendit, po aq sa realistë se për arsye të gjata tradicionale një ortodoks nuk fiton Bashkinë e Konispolit ende, një mysliman nuk e fiton Bashkinë e Korçës ende, një katolik nuk e fiton Bashkinë e Shkodrës ende dhe një bektashi nuk e fiton Bashkinë e Himarës ende. Arsyet janë të shumta, të pranueshme e të respektueshme, por ama, shqiptarë i fitojnë me lehtësi matematikore ulëritëse të katërta këto bashki.
Nga ana e shumicës, në çdo rast, zgjedhja e një personi të importuar me kombësi greke, kur në atë bashki ka dhjetra shqiptarë a grekë normalë që mund të kandidojnë, është e gabuar. Veçanërisht, nëse ai arrin të fitojë votat greke të zonës, do të përbëjë një risk për kalkulimet politike të së ardhmes që vështirë se mund të parashikohen sot, por që në çdo rast do të jenë në kundërshti me dobinë kombëtare. Nëse Gjikuria, siç sot parashikoj, do të fitojë votat greke në Himarë dhe Dhërmi, kjo do të sillte një sendërtim të qartë të sjelljes elektorale në atë bashki, në dobinë kombëtare shqiptare.
Për sa më sipër, përballë dy zgjedhjeve deri më tani, pavarësisht se cili nga tre motivet ka shtyrë propozuesit e z. Tavo, që shpresoj të mos jenë dy të parat, kjo nuk më bën asnjë diferencë, sepse zgjedhja është e thjeshtë. Propozuesit e z. Tavo mund të qortohen për mungesë kreativiteti e moshnjohje të zonës, dhe edhe pse nuk mund të akuzohen për antishqiptari, apo për kandidat të dobët, po bëjnë një dëm që mund të kthehet i parikuperueshëm. Nga ana tjetër, përballë është një nacionalist politik, që ka punuar në një Federatë që punon për “Vorio Epirin”, nën maskën e gënjeshtërt që do të zgjidhë çështje pronash (që në NJA Himarë i kanë bërë vetë drejtuesit lokalë lëmsh e në NJA Lukovë faji qëndron në politikën qëndrore), por që në fakt punon për ca interesa kundër Shqipërisë. Ndaj, mes dy zgjedhjeve, pa dyshim që do mbështesja kandidatin që është një shqiptar i mirë, me etni greke që e gëzon e gëzoftë përjetë. Sepse, shumë thjesht, nga njëra anë është teza e një Shqipërie të fortë, është një Shqipëri e fortë për çdo shqiptar, të shumicës dërrmuese me etni shqiptare e të pakicës së respektuar me etni greke. Këtë nuk e duan vetëm ata që hanë bukën përmes nacionalizmit politik, që të ardhurat e tyre i sigurojnë në ato qarqe, ku një Shqipëri e dobët është ëndërr e kahershme, e kjo nuk është Greqia, por nacionalizmi politik grek që ka aksese të forta në burokracinë shtetërore dhe në një rrymë të caktuar politike.
I vetmi risk në këtë analizë, është nëse Tavo do ia dilte të merrte votat greke të asaj bashkie, që do të komplikonte syrin me të cilin Tirana e sheh atë bashki, kundër dobisë kombëtare. Nga ana tjetër, shqiptarët e asaj bashkie, që janë mbi 85% dhe që janë patriotë, e kanë kuptuar më së miri se vota për Belerin, si votë proteste, kurrë nuk u kthye në votë që do u sillte ngritjen e çështjes që ata kanë të drejtë në Kakome, Krorëz, Plazhin e Lukovës, Bunecin, investimet e munguara në Borsh, çështjen e keqadministrimit në Labërinë himarjote e Labërinë kurveleshare. Ndaj, në mënyrë që në zgjedhjet e tjera kandidatët të jenë të dy vendalinj të asaj bashkie, qofshin me vetidentifikim shqiptar si shumica apo vetindentifikim grek si pakica, por njerëz normalë që punojnë për hallet e bashkisë dhe jo për interesa nacionaliste që sjellin thjesht retorikë boshe e bllokim të Atdheut, e as për përfitime meskine personale që pastaj kthehen si korrupsioni galopant i qeverisjes qëndrore, kur në fakt është produkt i qeverisjes lokale, sot e kanë zgjidhjen e vetme që ta ndëshkojnë nacionalizmin politik pa ekuivok. Të dërrmohet në votë, që në zgjedhjet e ardhshme, të flitet sërish për Himarë, por jo për shqiptarë e grekë po për Kakome e Krorëz. Të flitet për ça ata banorë kanë të drejtë dhe jo për atë që ata banorë nuk e duan.
Nëse në fund të këtij procesi, na rezulton se vota greke e Himarës dhe Dhërmiut i kalon Tavos, ose se vota shqiptare e gjithë zonës tjetër i kalon Gjikurisë, kjo do të qe një dëm afatgjatë të interesit kombëtar shqiptar, në këtë mesele që na ka futur politika shqiptare, në këtë betejë artificiale të një minoritari grek kundër një nacionalisti politik grek në një bashki me mbi 85% shqiptarë, a thua se s’gjenin dot kandidatë vendalinj e shqiptarë të mirë, përtej etnisë.
Së fundmi, një përsijatje personale. Si nëpunës civil në këtë vend, nuk jam marrë me politikë dite, sipas ligjit. Ky artikull sërish nuk është politikë dite. Si studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare, e veçanërisht raporteve fe/pakica-politikë-marrëdhënie ndërkombëtare, nuk flas dot vetëm për të vdekurit, pa folur për të gjallët. Pa bërë parashikime, të cilat me fytyrën time në lojë, dalin të vërteta ose të gënjeshtërta. Fatmirësisht, deri më sot kanë dalë të vërteta. Ndaj, edhe këtë herë, flas sërish për marrëdhënie ndërkombëtare e jo për politikë dite. Sepse irredentizmi, neonazimzi dhe cënimi i integritetit territorial të Shqipërisë nuk është politikë dite. Kush e ka problem këtë qasjen time, nuk më intereson asnjë pozicion publik, përpara interesave të Shqipërisë e shqiptarëve, ku përfshihen pa dallimin më të vogël çdo shqiptar përtej etnisë së tij.
()