TIRANE
Tirana Bank dhe Tirana Business University përfunduan me sukses në datën 3 korrik, programin 12-javor STARTECH HUB, një modul inovativ për edukimin dhe punësimin e studentëve në fushën e Teknologjisë së Informacionit, i cili u krijua për t’i ofruar të rinjve pjesëmarrës një përvojë të vlefshme praktike dhe mundësinë për të kontribuar në sistemin bankar në zhvillim.
Në përfundim të këtij programi, studentët prezantuan projektet e tyre inovative, ku tre performuesit më të mirë morën vlerësimin nga komisioni përkatës, duke fituar kështu mundësinë e artë për të zhvilluar praktikën profesionale në Tirana Bank, e cila gjithnjë mbështet nisma të rëndësishme edukimi, duke qenë një nga shtyllat kryesore të punësimit të talenteve të reja pranë departamenteve të ndryshme të bankës.
Mes shumë pjesëmarrësve ishin dhe tre fituesit: Ira Sinanaj, Anxhela Fasliu dhe Marjol Mata, të cilët prezantuan mjeshtërisht punimet e tyre para përfaqësuesve të departamentit të IT-së dhe Burimeve Njerëzore të Tirana Bank, duke marrë vlerësimin maksimal për aftësitë dhe punën rigoroze.
Gjatë ndarjes së trofeve dhe certifikatave për pjesëmarrësit, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i Tirana Bank Z. Dritan Mustafa, u shpreh entuziast për iniciativa të tilla si STARTECH, që janë katalizatorë të fuqishëm për hyrjen e gjeneratës së re në tregun e punës dhe sistemin bankar. Ai vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm që çoi në realizimin e këtij programi dhe falënderoi stafin e bankës për ndarjen e përvojës së tyre me studentët.
Z. Mustafa i përgëzoi studentët për pjesëmarrjen dhe i ftoi ata të bashkohen me ekipin e Tirana Bank në çdo kohë, duke përmbyllur kështu programin e suksesshëm të këtij viti dhe duke i hapur atyre portën e pafundme të mundësive që ofron banka.