Skënderbeu mbylli përgatitjet në Durrës për transfertën e Shkodrës, ku lojtarët shfrytëzuan edhe temperaturat e larta për të qenë edhe pranë bregut të detit Adriatik.
Në kushtet kur korçarët duken të pashpresë dhe vetëm matematika i mban në lojë, ndaj shkodranëve gjithçka pritet të jetë një ndeshje statistikash. Pavarësisht se kanë rënë “de facto”, drejtuesit e ekipit nuk kanë ndër mend të lëshojnë rrugë për askënd dhe do të respektojnë kampionatin deri në fund.
Në kushte të tilla, trajneri Gega ka përgatitur ekipin për një ndeshje radhe në Shkodër, ndeshje ku sipas të gjitha mundësive Skënderbeu do të zbresë në fushë për të kërkuar maksimumin nga lojtarët. Berisha është i pezulluar për këtë takim, pa harruar se janë edhe dy lojtarë që e kanë mbyllur sezonin.
Në këto kushte trajneri Skënder Gega do të provojë të hedhë në fushë lojtarët më të mirë që ka në dispozicion, ku bën pjesë edhe Dumfur, i rikthyer në ekip.
Në portë pritet të jetë Rexhepi, i cili po luan ndeshjet e tij të fundit me Skënderbeun. Para tij do të luajë dyshja e qendrës e formuar nga Shehi dhe Sadriu, për ta kompletuar repartin difensiv me kapitenin Zguro në të majtë dhe Frashërin në të djathtë.
Në mesin e fushës, Zhan Viktor dhe Moraesh do të jenë dy ekranet që do të mendojnë për prishjen e aksioneve kundërshtare dhe për ndërtimin e lojës së Skënderbeut, ndërsa Randi do të plotësojë këtë repart.
Mara pritet të jetë i vendosur disi para treshes së mesit të fushës në shërbim të repartit të avancuar, ku në majë parashikohet të jetë Pusi dhe Mensah.
Në lojë e sipër nuk përjashtohet mundësia që Gega të provojë edhe lojtarët e rinj, me të cilët mund të mbështetet Skënderbeu në sezonin e ardhshëm në rast të zbritjes një kategori më poshtë.
– Arena e Lajmit