Pas disa orësh debati, Komisioni i Ligjeve ka miratuar draftin e dakordësuar mes PD dhe PS për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ndërsa kundër u shprehën deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Dashnor Sula.
Alibeaj ka votuar kundër edhe për votën e diasporës, por sqaroi se ky qëndrim kishte lidhje me faktin se drafti i propozuar i trajtonte shqiptarët që jetojnë jashtë kufinjve dhe me të drejtë vote si kavie. Alibeaj në tërësi e konsideroi draftin si një pazar politik mes Edi Ramës dhe Sali Berishës.
Në anën tjetër Sula ka shprehur kundërshti të forta lidhur me listat e kandidatëve, pasi në variantin e dakordësuar dhe miratuar, 2/3 e listës ishin të hapura, por 1/3, ishte e pandryshuar, çka do të thotë se emrat e parë që do të renditen në listat sipas qarqeve ishin të pandryshuar, pavarësisht votave preferenciale të emrave që renditen në atë që konsiderohet si pjesa e hapur e listës. Sula tha se mënyra se si po miratoheshin këto ndryshime i kujtonin vitin 2008, kohë kur brenda natës u miratuan ndryshimet Kushtetuese.
Kritika lidhur me mënyrën se si janë konceptuar listat e kandidatëve u shprehën gjatë debateve edhe nga Fatmir Mediu, apo Adriatik Lapaj, i ftuar në këtë komision, por pa të drejtë vote, duke mos qenë deputet.
“Të paktën të jete e mundshme, të lihet fakultative për çdo subjekt politik, kush do ta ketë të hapur ta ketë të hapur”, propozoi Mediu.
“Lini si opsion për partitë e tjera që nëse duan t’i lënë 100% të hapura, kjo adreson të gjitha shpresat e shoqërisë”, tha Adriatik Lapaj.
Në anën tjetër Oerd Bylykbashi dhe Damian Gjiknuri kanë mbrojtur variantin e dakordësuar. Bylykbashi tha se kjo listë mbron elitat politike, ato që nuk tentojnë të blenë votat dhe nuk mund të konkurojnë në një terren ku shit-blerja e votave është evidente. Në këtë kuadër, Bylykbashi kërkoi që të zbatohen mekanizmat që ndalojnë shit-blerjen e votave, duke e interpretuar listën e mbyllur (1/3) si një opsion për të përfshirë në të elitat, që e kanë të pamundur të konkurojnë ndershmërisht në një listë të hapur.
“Pse nuk e lëmë totalisht të hapur? Ka një parim. Ligji duhet të jetë uniform, ODHIR tha që uniformiteti është i detyrueshëm sepse konfuzon votuesin dhe nuk zbatohet ligji në mënyrë të njëjtë, pra i njëjti ligj që vlen për një parti duhet të vlejë edhe për një parti tjetër”, tha Gjiknuri.
Pritet që drafti i dakordësuar të kalojë për miratim në Kuvend, ndërsa miratimi i ndryshimeve kërkon një shumicë të cilësuar votash.
Nëse këto ndryshime miratohen, atëherë për herë tv parë në 2025 do të aplikohet zgjedhja e deputetëve me dy lista: 1/3 e kandidatëve janë në atë që konsiderohen listë e pandryshuar, dhe 2/3 do të jetë një opsion ku votat preferenciale, do të përcaktojnë se kush nga emrat merr mandatin, pavarësisht renditjes.
Gjithashtu për herë të parë i jepet mundësia diasporës të ketë të drejtën e votës, detyrim ky që prej vitesh mbahej pezull, dhe pavarësisht problematikave që mund të ketë në praktikë, është një e drejtë kushtetuese, që po iu jepet miliona qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë kufinjve.
Një tjetër risi është se numri i votave për mandatet e deputetëve nuk do të jetë më i lartë se 7 mijë, ndërkohë që pragu elektoral kombëtar do të jetë 1 %.