Tre shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë italiane, pasi janë kapur me kokainë dhe marijuanë, që kapte vlerën e 1 milion eurove, nëse shitej.
Sipas autoriteteve italiane, droga do të shitej në lokalet e natës në Cagliari dhe zonën e bregdetit Poetto.
Policia arriti të sekuestrojë dy kilogramë kokainë dhe po aq marijuanë, ndërsa vendosi në pranga tre shtetas shqiptarë, një 42-vjeçar që jeton prej vitesh në këtë qytet, një 34-vjeçar dhe një 41-vjeçar i ardhur në Sardenjë nga Santa Croce sull’Arnos.
Hetimet e kryera nga policia italiane nisën pas një raportimi për lëvizje të çuditshme të disa personave në një pallat në Viale Sant’Avendrace.
Mëngjesin e djeshëm, efektivët e policisë italiane kanë parë 42-vjeçarin shqiptar, i njohur pikërisht për përfshirjet e tij në trafikun e drogës, të hyjë në pallat dhe menjëherë më pas tij dy bashkatdhetarë të tjerë.
Sapo të tre hynë brenda në banesë, policia bastisi shtëpinë ku gjetën një çantë shpine e mbushur me drogë. Gjithashtu u sekuestruan celularë, bileta avioni, shënime me emra dhe materiale të tjera.
Prokuroria italiane po heton origjinën e drogës, veçanërisht amfetaminës dhe kokainës. Ndërsa nuk përjashtohet që ngarkesa të jetë kryer nga dy shqiptarët e ardhur nga Toskana.
Hetuesit po rindërtojnë skemën për lëvizjet e tyre dhe po verifikojnë se cilat ishin marrëdhëniet me bashkatdhetarin 42-vjeçar që jetonte në Cagliari. Në të kaluarën një prej shqiptarëve ishte arrestuar për trafik droge dhe dëbuar nga territori italian, por ishte kthyer duke përdorur identitete të rreme.
Gjithashtu, u ushtruan kontrolle ndaj banesës që përdorej si depo droge, pasi shtëpia ishte në emër të një pensionisti që kishte vite që kishte vdekur.