Nga pullat fiskale te markimi i karburanteve/ Mete në Kuvend: Ja ç’përfitojnë qytetarët e bizneset

Ervin Mete, ministër i Financave, njoftoi nga salla e Kuvendit se tarifa për markimin e karburanteve do të hiqet. Ai tha se nga ky vendim do të përfitojnë qytetarët dhe bizneset.

Mete e njoftoi këtë vendim gjatë paraqitjes projektligjit për Akcizat.

“Projektligji që paraqitet sot për shqyrtim vjen për një qëllim specifik. Në ligjin e akcizave ka qenë e parashikuar në disa nene koncesionari që ofron shërbimin e pullave fiskale.

Duke qenë se ky koncesion përfundon në 31 dhjetor të këtij viti dhe do t’i kalojë shtetit, janë bërë ndryshimet e nevojshme që si koncesionari, si edhe procedurat që lidhen me të, të hiqen nga ky ligj dhe të theksohet që pullat fiskale janë tashmë monopol shtetëror dhe Këshilli i Ministrave do të përcaktojë një person juridik publik të autorizuar për prodhimin dhe shpërndarjen e pullave fiskale, si dhe elementët e sigurisë së tyre, e një sërë nenesh të tjera me të njëjtin qëllim.

Në dhjetor të vitit të kaluar pranë Ministrisë së Financave, me urdhër të Ministrit, është ngritur një grup i gjerë pune, përfshirë edhe Avokaturën e Shtetit, për të menaxhuar procesin e daljes. Është përcaktuar një menaxher daljeje dhe një bord për menaxhimin e këtij procesi, i cili përfundon në 31 dhjetor të këtij viti.

Nga analiza e akteve ligjore ka lindur e nevojshme të ndryshohet edhe ligji i akcizave për të hequr koncesionarin dhe procedurat e koncesionarit nga ligji.

Do të jetë Shtypshkronja e Letrave me Vlerë personi juridik publik në pronësi të shtetit, i cili do të realizojë këtë shërbim në të ardhmen, që e ka pasur të drejtën ligjore për ofrimin e shërbimit përpara se të jepej me koncesion.

Është një proces që kërkon vëmendje të dedikuar dhe proces të posaçëm në mënyrë që të realizohet në cilësinë e duhur, duke respektuar transferimin e nevojshëm të aseteve dhe të njohurive.

Synimi ynë është që në momentin që ky shërbim kalon në menaxhim shtetëror të ofrohen tarifa më të ulëta se ato që aplikohen nga koncesionari, çka besojmë do të jetë lehtësi për komunitetin e biznesit.

Në të njëjtën kohë në gusht të këtij viti, pra muajin tjetër, përfundon koncesioni i markimit te karburanteve dhe shërbimi kalon tek Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Në momentin që ky koncesion do të përfundojë, në kemi vendosur që edhe tarifa e aplikuar nga koncesionari të hiqet. Pra, nuk do të ketë vazhdim të aplikimit të tarifes së markimit tek qytetarët dhe bizneset. Kostot e vazhdimit të shërbimit do të përballohen nga buxheti i shtetit”, tha Mete.

Arena e Lajmit

Nga pullat fiskale te markimi i karburanteve/ Mete në Kuvend: Ja ç’përfitojnë qytetarët e bizneset

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook