Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla gjatë kësaj fundjave ka qenë në vendlindjen e tij në Librazhd dhe ka marrë pjesë në Festën e Lunikut e cila u zhvillua në Fushën e Letmit, në një nga Perlat e Parkut Kombëtar të Shebenikut.
Ministri Taulant Balla, i cili që nga viti 2005 është zgjedhur vazhdimisht nga librazhdasit deputet i PS, nuk rresht së promovuari destinacionet e shumta të Turizmit Malor të këtij rrethi. “Jam djalë i kësaj zone dhe gjithmonë jam prezent në të gjitha eventet e promovimit të bukurive natyrore të kësaj zone”, -tha ministri Balla nga Fusha e Letmit ku u zhvillua “Festa e Lunikut” një festë lokale që organizohet prej 17 vitesh me qëllim që të promovohen jo vetëm destinacionet e turizmit malor të kësaj zone, por edhe ushqimet tradicionale, veshjet, këngët, vallet, muzika, traditat, kultura dhe gjithçka e mrekullueshme e trashëguar ndër breza.
“Zoti e ka bekuar Librazhdin me një nga Parqet Kombëtare më të mëdha, Parkun e Shebenikut, i cili është një zonë që ka burime të mëdha natyrore sa i përket zhvillimit të Agroturizmit. Mendoj se është koha e duhur për ta përdorur këtë bukuri natyrore në funksion të zhvillimit ekonomik dhe social të kësaj zone. Tani që është drejt përfundimit investimi shumë i rëndësishëm i qeverisë shqiptare ai i ndërtimit të rrugës nga Librazhdi në Fushë Studën deri te Ura e Çerenecit, industria e Turizmit malor do zhvillohet me ritme jashtëzakonisht të mëdha. Ndërtimi i infrastrukturës rrugore është një investim shumë i rëndësishëm dhe aksi rrugor që lidh Librazhdin me Qarkun e Dibrës do nxjerrë në dritë një Perlë të natyrës sikurse është gjithë kjo pjesë e Parkut Kombëtar, pra Fusha e Letmit e cila është një hapësirë shumë e madhe prej 300 hektarësh, për të cilën bashkia e Librazhdit ka gati një projekt ambicioz të zhvillimit të Turizmit Malor. Kjo është një zonë që mundëson realizimin e të gjitha investimeve sa i takon hoteleve, por edhe të pistave të skive. Është një zonë që favorizohet dhe që do përfitojë shumë nga një klimë shumë e mirë për zhvillimin e Turizmit dimëror dhe në këtë aspekt qeveria qendrore në bashkëpunim me qeverinë vendore do e mbështesin fuqishëm Turizmin malor në këtë zonë. Thirrja ime është për të gjitha ata që duan të investojnë në këtë dimension të turizmit ta marrin në konsideratë Librazhdin, ta marrin në konsideratë Fushë Studën, Fushën e Letmit dhe çdo destinacion tjetër të rëndësishëm të Turizmit malor në Librazhd, sepse avantazhi është i paimagjinueshëm krahasuar me të gjitha destinacionet e tjera. Një nga avantazhet dhe përfitimet më të mëdha është edhe distanca mjaft e shkurtër e të gjithë atyre që udhëtojnë nga Tirana drejt mrekullive natyrore të Librazhdit. Përfundimi i investimit të rrugës që lidh Elbasanin me Librazhdin, Unaza e Elbasanit dhe investimi që po shkon drejt fundit i në rrugën që lidh Librazhdin me Fushë Studën dhe më tej, i bën të tundohen të gjithë që të frekuentojnë destinacionet turistike të Librazhdit .Tani gjithkush mund të udhëtojë në pak më shumë se një orë nga Tirana për në Parkun Kombëtar të Shebenikut dhe në po kaq kohë edhe në çdo destinacion tjetër të Turizmit malor në çdo cep të Librazhdit.
Kështu që në këto kushte është mjaft e lehtë të udhëtosh nga Tirana drejt një prej destinacioneve turistike më të mrekullueshme të Turizmit malor sikurse është Fushë Studën, Fusha e Letmit dhe i gjithë Parku Kombëtar i Shebenikut. Në vendin tonë nuk ka një destinacion tjetër kaq të mrekullueshëm të Turizmit malor që mund të shkosh më shpejt sesa këtu. Biznesit i mbetet që t’i paraprijë fluksit të madh të turistëve që e frekuentojnë Parkun Kombëtar të Shebenikut me investime që të garantojnë akomodimin e shumë më shumë turistëve jo vetëm këtë Vjeshtë e Dimër por sidomos për të ardhmen ku parashikohet të ketë dyndje të turistëve të huaj të cilët mahniten nga bukuritë përrallore të gjithë Shqipërisë. Dhe ajo që e bën edhe më të preferuar këtë zonë për turistët e huaj është jo vetëm larmia dhe cilësia e ushqimeve tradicionale por edhe mikpritja e shkëlqyer e librazhdasve”, -tha ministri i Shtetit për Parlamentin, Taulant Balla.
()