Një 31-vjeçar u arrestua nga policia në kuadër të operacionit “Territori i pastër” që u shtri në hapësirën pyjore të fshatit Kujt në Fan të Mirditës. 31-vjeëari V.N po kujdesej për dhjetëra bimë kanabisi të kultivuara në zonën pyjore.
Ndërkohë, policia njoftoi se gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjetën dhe u sekuestruan 4 kilogramë lëndë narkotike kanabis të paketuara gati për shitje, jelek antiplumb, fenelina dhe një armë gjahu.
Në vijim të operacionit, u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës” shtetasit F. Gj., 48 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Fan dhe Sh. M., 57 vjeç, me detyrë specialist i pyjores. Këta shtetas dyshohet se nuk kanë kryer detyrën e tyre funksionale në zonën që mbulojnë.
Materialet në ngarkim të këtyre shtetasve iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.