Në Bashkinë e Himarës po mbahen zgjedhjet për Kryebashkiakun e ri, ndërsa në garë janë Petro Gjikuria nga opozita, dhe Vangjel Tavo nga Partia Socialiste. Referuar shifrave zyrtare nga KQZ, deri në orën 12:00 kanë marrë pjesë 22.68% e numrit të përgjithshëm të zgjedhësve.
Kështu sipas KQZ, referuar të dhënave nga 35 qendra votimi, nga 36 që janë në total, kanë votuar 5135 qytetarë me të drejtë vote.
Problemi i regjistruar në Himarë është se qytetarët që kanë dokumente identifikimi të skaduara nuk janë lejuar të votojnë, gjë që parashikohet edhe në ligj, por shifra e deklaruar e shtetasve që kanë të drejtë vote, por nuk kanë një dokument të vlefshëm është mbi 6 mijë.
Kjo përbën rreth 25 % të numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar në Himarë, ndërsa ende nuk ka një shifër zyrtare se sa qytetarë nuk janë lejuar të votojnë për shkak të dokumentit.