Finalizohet nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, operacioni policor i koduar “Grid”. Vodhi një shumë parash duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit, kapet dhe vihet në pranga 55-vjeçari.
Vijon puna për kapjen e një shtetasi që dyshohet se i ka marrë një shumë parash 55-vjeçarit, me anë të mashtrimit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën ekonomiko-financiare dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Grid”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë ndalimi me iniciativë i shtetasit S. Zh., 55 vjeç, banues në Elbasan.
Ky shtetas dyshohet se ka vjedhur rreth 5 400 000 lekë (xhirot ditore), duke shpërdoruar detyrën menaxher i 6 pikave për shitjen e karburantit. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një shumë parash, që u gjet në ambientet e punës ku qëndronte ky shtetas.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasit E. B., 25 vjeç, pasi dyshohet se i ka marrë një shumë parash shtetasit S. Zh., me anë të mashtrimit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.