Partia Agrare Ambientaliste, në një deklaratë për mediat, shprehet se Mbrojtja Civile duhet që të mbështetet me të gjitha format, pasi vendi po digjet.
“PAA i bën thirrje qeverisë të ndërpresë për pak kohë propagandën nga Himara dhe të angazhohet me çdo mjet e mundësi për të marrë situatën nën kontroll”, thuhet në njoftimin e Partisë Agrare Ambientaliste.
-Deklaratë e Partisë Agrare Ambientaliste-
Zjarret kanë prekur zona të tërë nga Jugu në Veri të vendit, përfshirë këtu edhe zona të mbrojtura natyrore dhe arkeologjike. Pas Finiqit, është Prespa që po shkatërrohet. Pak ditë më parë ishte Shëngjini që humbi kurorën e gjelbërt të pishave.
Forcat tona zjarrfikëse përballen me këtë problem në rrijtje me mungëse mjetesh e fondesh. Ndryshimet e klimës do të vazhdojnë ta bëjnë edhe më agresive situatën. Por, përkundër kësaj, qeveria nuk është në tokë. Mbrojtja Civile duhet të mbështet fort, duke u pajisur me mjete, pasi i tërë vendi është në dorë të një helikopteri me një kovë ujë. Repartet zjarrfikëse nëpër bashki janë me mjetet të vjetra dhe të pakta në numër. Duhet të shtohet numri i personelit dhe të bëhet trajnimi i tyre.
PAA i bën thirrje qeverisë të ndërpresë për pak kohë propagandën nga Himara dhe të angazhohet me çdo mjet e mundësi për të marrë situatën nën kontroll. Me fillimin e sezionit të ri parlamentar PAA do të kërkojë një interpelancë me Ministrin e Mbrojtjes për të këtë situatë. Çdo vit po humbim mijëra hektarë hapësirë të pyjore dhe të gjelbërt.
Të kapur nga ethet e mbajtjes së pushtetit me çdo kusht e çdo çmim, qeveritarët nuk konsiderojnë asgjë tjetër në këtë kohë. Por harrojnë se çdo burim i jetës është tek natyra dhe nëse ne lejojmë shkatërrimin e saj, në një tokë të djegur askush nuk do të mund të jetojë.
(Arena e Lajmit)