Gjatë vizitës në Shqipëri, nënsekretarja Italiane e Shtetit për Sportin Valentina Vezzali u prit nga Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.
“Një takim shumë miqësor sot me Valentina Vezzali, Nënsekretarja Italiane e Shtetit për Sportin, e cila ka hyrë në histori si sportistja italiane që ka fituar më shumë medalje në të gjitha kohërat. Së bashku edhe me Ambasadorin e Italisë Fabrizio Bucci diskutuam për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve tona në fushën e sportit dhe mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshjeje, e cila do të nxisë më shumë shkëmbime dhe aktivitete të përbashkëta sportive,”- shprehet ministrja.
Gjithashtu, ajo ndoqi në Tiranë finalen e UEFA Conference League mes Romës dhe Feyenoordit, të fituar nga Roma.
Vezzali konsiderohet si sportistja më e suksesshme e të gjitha kohërave në sportin e skermës, me 6 medalje ari në lojërat olimpike dhe 9 medalje ari individuale dhe ekipore në kampionatet evropiane.