Dibër
Prerja e paligjshme e pyjeve :
2 të proceduar, sasi të mëdha qymyri dhe lëndë drusore të sekuestruara.
Prisnin lëndë drusore në mënyrë të paligjshme dhe ndiznin zjarre për të prodhura qymyr, procedohen penalisht 2 autorët.
Procedohet penalisht dhe specialisti i pyjeve për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Strukturat e Hetimit të Krimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Dibër, në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie kanë intensifikuar kontrollet dhe si rezultat në vendin e quajtur “Krej-Lurë”, kanë konstatuar të grumbulluara 15m³ lëndë drusore, si dhe disa gropa të mbushura me dru zjarri, ku më pas i ndiznin për prodhimin e qymyrit të drurit.
Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky aktivitet i paligjshëm kryhej nga shtetasi Luftar Kaçorri , 54 vjeç, banues në Tiranë, dhe shtetasi Bujar Doriçi, 53 vjeç, banues në Lurë. Për këto dy shtetas u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, “Fshehja e të ardhurave”.
Po në vijim të veprimeve hetimore nisi procedimi penal për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasin F.B., me detyrë specialist pyjesh në zonën e Krej-Lurës.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 15m³ lëndë drusore dhe sasi të mëdha qymyri.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme.