Analisti Agim Baçi i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 ka komentuar vizitën e shefit të CIA-s Uilliam Burns në vendet e rajonit. Baçi tha se kjo vizitë tregon se gjendja në Ballkan nuk është e mirë.
Baçi tha se Kosova duhet të dëgjojë amerikanët, pasi pa Uashingtonin nuk do të ishte e mundur pavarësia e Kosovës.
“Çdo vizitë e tillë nuk është lajm i mirë. Kemi situatë të minuar. Ne si shqiptarë duhet të dëgjojmë mirë se çfarë thotë SHBA. Ardhja këtu e Burns është për gjëra të këqija, ndoshta për influenë të shtuar ruse në rajon”, tha Baçi.
Duke folur për skandalin e mbetjeve toksike, Baçi u shpreh se fajtor jo pak është shteti shqiptar, pasi nëse shteti do funksiononte shteti, asnjë firmë nuk do mund të gënjente mbi aktivitetin e vet.
“Për skandalin e mbetjeve toksike është fajtore e madhe qeveria. Qeveria ka policinë, qeveria e kontrollon doganën. Prandaj është shteti, që të kontrollojë e zbatojë ligjin. Është, sepse si Kurum apo kompani tjetër mund të dojë ta mashtrojë qeverinë, por qeveria (shteti) ka institucionet për të parandaluar të keqen”, deklaroi Baçi.
(Arena e Lajmit)