Përkeqësohet situata me zjarrin në malin Vela të Kallmetit në qarkun e Lezhës, atje ku prej mbrëmjes së të martës u shfaqën vatrat e zjarrit.
Si pasojë e erës dhe terrenit të thyer, është kërkuar ndërhyrja nga ajri për të vënë nën kontroll flakët dhe minimizuar përhapjen e zjarrit.
Mesditën e sotme flakët dolën jashtë kontrollit për shkak të erës së fortë, ndërsa ato po i afrohen qendrës së fshatit Kallmet, që ndodhet rrëze malit dhe ku bimesia është më e dendur.
Në kushte të tilla, emergjencat civile kërkuan sërish ndërhyrje nga ajri pasi zjarrfikësit e kanë të pamundur ndërhyrjen për shkak të terrenit të vështirë.
Ekipet zjarrfikëse po mundohen të mbajnë flakët larg banesave, ndërsa në mbështetje të tyre, janë edhe banorë të zonës.