Zbardhet letra për Hasanin/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Ja çfarë duhet të ndryshojë te projekt-ligji për Shërbimin e Jashtëm

Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë përmes një letre drejtuar ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ka shprehur disa sugjerime mbi projekt-ligjin për Shërbimin e Jashtëm. Në këtë letër theksohet se Shërbimi i Jashtëm ka nevojë për rregullime ligjore të qenësishme, sikurse dhe për krijimin e kulturës së interpretimit dhe zbatimit korrekt, në frymë dhe germë, të legjislacionit në fuqi. Mes të tjerash Këshilli i Ambasadorëve pohon se; “Projekt-ligji nuk ndryshon as non-sensin kushtetues të Ligjit të 2015-ës, i cili kushtëzon politikisht në kohë firmën kushtetuese të Presidentit të Republikës në emërimin dhe lirimin e Ambasadorëve.”.

Letra:

I nderuar zoti Ministër,

Duke mbajtur parasysh ecurinë mbi 30 vjeçare të Shërbimit të Jashtëm, ndryshimet ligjore të bëra në kohë të ndryshme dhe problematikat e ndeshura, si ato që lidhen me formulime ligjore të papërshtatshme ashtu dhe me moszbatimin korrekt të legjislacionit në fuqi, Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë ka bindjen se Shërbimi i Jashtëm ka nevojë për rregullime ligjore të qenësishme, sikurse dhe për krijimin e kulturës së interpretimit dhe zbatimit korrekt, në frymë dhe germë, të legjislacionit në fuqi.

KASH, me dëshirën për të kontribuar në përpilimin dhe miratimin e një ligji sa më të mirë për Shërbimin e Jashtëm, që t’i rezistojë kohës dhe të patur një trupë diplomatike të karrierës në RSH, mbas një konsultimi të gjerë brenda anëtarëve tij, duke iu referuar praktikave më të mira në rajon dhe në vendet e BE-së, dhe duke vlerësuar në parim shqetësimin dhe qëllimin e shprehur për rregullimet dhe përmirësimet e synuara në këtë Projekt-ligj, shpreh mendimet  si më poshtë:

Së pari, lidhur me FRYMËN e tij, Këshilli i Ambasadorëvë Shqiptarë  gjykon se Projekt-ligji për Shërbimin e Jashtëm i hedhur për diskutim publik, në tërësi dhe me disa nene të veçanta, në vend që t’i shërbejë forcimit dhe modernizimit  të diplomacisë së karrierës, ai e zhvesh dhe më shumë atë nga ana profesionale, duke e kthyer në një ligj klientelizmi politik dhe partiak, ku përfaqësues të këtyre të fundit, të veshur me kostumin e diplomatit do ta kthenin këtë shërbim karriere në diplomaci partiake, duke  dëmtuar rëndë investimin e madh profesional të bërë ndër dekada.

Gjykojmë se në relacionin përkatës duhej të ishte pasqyruar se çfarë nuk ka funksionuar siç duhet me legjislacionin ekzistues, çfarë duhet përmirësuar, dhe mbi bazën e cilave parime do bëhen këto përmirësime. Në relacion argumentohet se “…ka ndryshuar situata gjeopolitike…”. KASH ka bindjen që ky argument nuk qëndron, sepse Ligji i Sh.J. në rradhë të parë rregullon organizimin dhe funksionimin e vetë sistemit të Shërbimit të Jashtëm, si dhe marrëdhënien dhe bashkëpunimin e këtij sistemi me institucionet e tjera, si Presidenti i Republikës, Kuvendi, Këshilli i Ministrave, ministritë, institucionet qendrore dhe organet e qeverisjes vendore etj, dhe me publikun. Ndryshimi i situatave gjeopolitike (gjithsesi të pashtjelluara në relacion) nuk mund dhe nuk duhet të ketë ndikimin e pretenduar në ndryshimet që synohet të bëhen nëpërmjet këtij Projekt-ligji.

Vërejmë gjithashtu se relacioni që shoqëron këtë projektligj është në masë të madhe kopje e relacionit që ka shoqëruar procesin e miratimit të ligjit që është sot në fuqi. Nëse nuk ka argumente të reja, ato të kaluarat pretendohet që duhet të ishin zgjidhur me ligjin e miratuar në vitin 2015.

Në tërësinë e vet, ndryshimet e propozuara sjellin së paku këto pasoja të rënda:

Forcon tej mase rolin e Ministrit, në çështje që nuk janë të kategorisë “drejtim politik”, duke rënë ndesh me parashikimet e Ligjit Nr. 90/2012 “Për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore”, Kreu III, Neni 1 i të cilit përcakton që “Ministria drejtohet nga ministri, i cili drejton politikën shtetërore për fushën që mbulon punën administrative dhe kontrolluese në institucion”. Pra Ministri bën drejtimin politik, jo drejtimin  administrativ të institucionit.

Në kundërshti me këtë, ky Projekt-ligj i jep Ministrit kompetenca të gjithëfuqishme vendimmarrëse në çështjet e ecurisë së karrierës së diplomatëve, pranimeve në Shërbimin e Jashtëm të “specialistëve” jashtë sistemit, dhe të emërimeve në Ministri dhe në Përfaqësitë jashtë vendit. Përveçse në kundërshtim me ligjin e sipërpërmendur, ky fakt bie ndesh edhe me synimet e reformimit të administratës publike dhe forcimit të pavarësisë dhe profesionalizmit të sistemeve të karrierës.

Në linjë me komentin e mësipërm, vërejmë një zbehje të skajshme të rolit të Sekretarit të Përgjithshëm, duke e reduktuar rolin e tij nga drejtues kryesor i sistemit të karrierës dhe të funksionimit administrativ të institucionit, në një nëpunës të rëndomtë që nuk ka as kompetencën formale të propozimit të emërimeve në sistemin e Shërbimit të Jashtëm. Në versionin e hedhur për diskutim, është parë e arsyeshme që Sekretari i Përgjithshëm të mos parashikohet fare as të jetë anëtar në strukturat administrative, si p.sh. në Komisionin e Gradave dhe Disiplinës, të cilat me legjislacionin aktual i drejton ex officio. Është propozim i drejtë që strukturat e kësaj kategorie të ngrihen me urdhër Ministri. Por vërejmë me keqardhje që pasi të jenë ngritur, këto struktura do jenë në varësi të ministrit  duke i bërë plotësisht të varura nga ndikimi politik.

Shumë shqetësues është fakti se ky Projekt-ligj dobëson sistemin e karrierës diplomatike në favor të vendimeve arbitrare dhe hyrjeve të pakontrolluara në sistem. Kjo sjell dëm sistemik, duke ulur interesimin e kandidaturave të mira për diplomatë karriere pa mbështetje politike apo njohje personale, rrjedhimisht edhe të cilësisë së personelit diplomatik.

Në disa nene të veçanta të Projekt-ligjit, shohim me keqardhje se shqetësimi dhe meraku më i madh është përshtatja e  ligjit dhe rregullave përkatëse ndaj akomodimit të nevojave në rritje për zgjerimin e diplomacisë sonë, tashmë nga jashtë, në dëm të  shërbimit përcaktues të  karrierës nga brenda. Ndërkohë që  forcohen më tej kushtet, kriteret dhe kërkesat për diplomatët dhe titullarët e karrierës, ato liberalizohen dhe lehtësohen ndjeshëm për kooptimin e diplomatëve nga jashtë, duke krijuar një pabarazi dhe padrejtësi sociale të dëmshme.

Një përqasje e tillë, e cila gjen vend gjerësisht në p/ligjin e ri të propozuar, i lë në hije diplomatët e karrierës të formuar ndër vite, me synim eliminimin shkallë shkallë të kësaj trupe profesioniste, për t’i hapur vend një shtrese të re diplomatësh, që pritet të rekrutohen ose më mirë të themi kooptohen, të cilët do të marrin atributet e karrierës, duke zëvendësuar të tanishmit dhe duke kapur poste drejtuese në diplomacinë shqiptare, pa patur pothuajse fare përvojë – cilësi e domosdoshme në diplomaci.

Nisur nga kjo frymë dhe nevoja për shmangien e dukurisë së lartpërmendur, jemi dakord dhe mbështesim procedurat e vlerësimit në punë të çdo diplomati, kompetencat e drejtorëvë politike në MEPJ, në raport me vartësit e tyre dhe të Ambasadorëve në raport me diplomatët në varësi në përfaqësitë apo misionet diplomatike. Ndërkohë që duhet të forcohet sistemi i dhënies së gradave diplomatike, ai të jetë i mirë-motivuar dhe sipas një piramide të mirë-studiuar të gradave. Çdo vend pune duhet të jetë në pajtueshmëri të plotë me nivelin e gradave diplomatike dhe diplomati i karrierës duhet të jetë i motivuar në rrugën e tij të rritjes profesionale, ashtu siç duhet të mbajë përgjegjësi për mos realizim të detyrave, e reflektuar kjo dhe në ecurinë e karrierës diplomatike.

Goditja ndaj diplomacisë së karrierës në Projekt-ligjin për shërbimin e jashtëm që propozohet, pasqyrohet dhe realizohet nëpërmjet formave të mëposhtme (dhe jo vetëm): përmbysjes së butë të raporteve midis diplomacisë së karrierës dhe të ashtuquajturës diplomaci e rrugës/outsiders; nëpërmjet uljes së nivelit të gradave diplomatike për ata që do të vijnë nga jashtë sistemit dhe emërimit të tyre të pritshëm në poste të larta drejtuese në MEPJ apo misione/përfaqësi diplomatike jashtë vendit; nëpërmjet heqjes së fashave kufizuese për ata që do të emërohen si Titullarë Misionesh, duke synuar shtrirjen e trupës së anti-karrierës dhe në poste drejtuese brenda MEPJ, etj.

Për fat të keq dhe në mënyrë të pajustifikueshme, kjo tendencë negative po synohet të ligjërohet në një kohë kur gjatë dekadave të fundit, siç dihet, vendi ynë, me ndihmesën e dukshme dhe të shërbimit diplomatik, ka shënuar disa arritje madhore – anëtarësimi në KiE, nënshkrimi i MSA-së, antërarësimi në NATO, liberalizimi i vizave, mbështetja e pakufishme dhe kontributi esencial e profesional në pavarësinë e Kosovës, për të vijuar me kryesimin e  KiE-së, të OSBE-së, anëtarësimin dhe kryesimin e KS të OKB-së, sigurimi i statusit kandidat dhe çelja e negociatave të anëtarësimit në BE, etj.

Këto dhe fakte të tjera dëshmojnë se tanimë kemi një diplomaci karriere të konsoliduar dhe me përvojë, me diplomatë dhe ambasadorë të profilit ndërkombëtar, me disa mandate jashtë vendit, të cilët janë në poste drejtuese në MEPJ, pa harruar një numër të konsiderueshëm prej tyre që kanë kontribuar ndër vite në MEPJ e që për arësye të ndryshme janë jashtë saj, por ende kontribues e aktiv në këtë fushë.

Për rrjedhojë, emërimi i ambasadorëve politikë nga jashtë sistemit dhe ca më pak përfshirja e tyre në shërbimin e karrierës është bërë shumë më pak e nevojshme se vite më parë.

Gjithsesi, caktimi si titullarë përfaqësish të personaliteteve të spikatura të artit, kulturës, letërsisë, botës akademike dhe sportit është i mirëpritur; veçse kjo në ligj të kufizohet deri në 10 përfaqësi të rëndësishme për një mision dhe periudhë të caktuar kohe. Por jo siç ka ndodhur që të kooptohen nga jashtë dhe pastaj të vazhdojnë karrierën diplomatike pa konkurim, në dëm të diplomatëve profesionistë që ia kanë kushtuar jetën e tyre diplomacisë.

Kujtojmë se deri para 10–15 vitesh Ligji i Sh. J. sanksiononte kuotën 20% për Ambasadorët jashtë sistemit. E vërteta është se kjo kuotë nuk respektohej, por minimalisht kishte një barrierë e cila ishte si referencë për kritikat përkatëse. Ligji i 2015-ës dhe Projekt-ligji në fjalë duhet të forconte zbatueshmërinë e kësaj kuote dhe jo ta asgjësonte tërësisht atë, në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare e ligjet e atyrë vendeve, grupimit të të cilëve aspirojmë ti bashkohemi. Mbështetur sa parashtruam edhe në paragrafet e mësipërme, ky Projekt-ligj duhet ta ulë deri në 15 për qind këtë kuotë. Në asnjë mënyrë nuk mund ta lerë pa asnjë kufi. Kjo i hap rrugë abuzimeve.

Nisur nga sa sipër, nëse fryma e këtij Projekt-ligji është vërtet forcimi i profesionalizmit dhe diplomacisë së karrierës, synim që ky Ligj ka patur qëkurse u hartua për herë të parë në vitin 1998, atëhere sistemin e karrierës nuk duhet ta përcaktojë e ta drejtojë Ministri përgjegjës, por vetë diplomacia e karrierës, nëpërmjët komisioneve përkatëse, të drejtuara nga Sekretari i Përgjithshëm.

Sa për marrëdhëniet me Kryeministrinë, Presidencën, Kuvendin dhe dikasteret e tjera, projekti nuk sjell asgjë të re, me përjashtim të ndryshimit të vendeve dhe ndonjë formulimi ndryshe por pa ndryshim në substancë. Ose për të argumentuar nevojën  e një ligji të ri. Madje, referenca të caktuara në lidhje me këto marrëdhënie janë antikushtetuese.

Fatkeqësisht, Projekt-ligji nuk ndryshon as non-sensin kushtetues të Ligjit të 2015-ës, i cili kushtëzon politikisht në kohë firmën kushtetuese të Presidentit të Republikës në emërimin dhe lirimin e Ambasadorëve.

Kësisoj, projekti nuk përmban ndonjë risi, ca më pak të rëndësishme. Edhe përcaktimi i afatit kohor prej 4 vitesh dhe jo më shumë se dy mandate 8 vjet, ka qenë në ligjin përpara vitit 2015, por u hoq si “risi”.

E njëjta gjë mund të thuhet për paragrafë të tjerë si “sigurimi i pastërtisë së figurës”, etj., si këto, të cilat kanë qenë dhe në ligjet e mëparshme.

Gjithashtu, ndryshe nga çdo përvojë e vendeve të BE (ku ne duam të bashkohemi), lihet në heshtje kriteri i mbajtjes nga diplomati vetëm të shtetësisë shqiptare.

Përveç se në kundërshtim me praktika ndërkombëtare të gjithë pranuara, të sanksionuara edhe në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, kjo bie ndesh me formulën e betimit të diplomatit (neni 44, pika 2 e Projekt-ligjit).

Nisur nga sa sipër dhe duke bërë krahasimin me Ligjin e vitit 2015, mendojmë se është më e drejtë të flitet për “Ndryshime në Ligjin 2015” se për një Ligj të ri, por që nuk zgjidhin problemet sistemike të grumbulluara ndër vite të Shërbimit të jashtëm.

 Së dyti, në vijim po parashtrojmë dhe ”NË GËRMA” një numër sugjerimesh/ndryshimesh  në  Projekt-ligjin e propozuar:

Në Nenin 6, pika 2. C, duhet të shtohet dhe fusha e bashkëpunimit konsullor.

Në nenet 7, 8 dhe 9, duhet përcaktuar në ligj se, në kuadër të bashkëpunimit midis MEPJ dhe Presidencës, Kuvendit dhe KM-së, është me rëndësi dhe informimi i MEPJ-së, lidhur me aktivitetin diplomatik të kryer nga këto institucione të larta shtetërore, ashtu siç përcaktohet në Nenin 10, pika 5.

Në Nenin 18, pika 4, grada e Sekretarit të Përgjithshëm (SP) të jetë Ambasador ose Ministër Fuqiplotë, pasi ai është nëpunësi më i lartë civil dhe i karrierës diplomatike në institucion; veç kësaj, në diplomacinë shqiptare tanimë ka një kontigjent të mirë me gradën diplomatike Ministër Fuqiplotë.

Neni 20, që merret më trajtimin protokollar, duhet të përfshijë dhe drejtuesit e forcave politike, që janë parti parlamentare.

Në Nenin 22, pika 2, Komisioni i Karrierës duhet të ngrihet nga SP, si nëpunësi më i lartë  civil dhe i karrierës diplomatike, dhe vendimet e këtij Komisioni  të jenë të detyrueshme për miratim nga Ministri.

Edhe Komisioni i Apelimit, i parashikuar në Nenin 23, duhet të ngrihet më urdhër të SP dhe jo të Ministrit.

Nenet 24 dhe 25 duhet të jenë të përmbledhur, se Misionet Diplomatike dhe Konsullore janë pjesë e MEPJ-së dhe drejtohen prej kësaj të fundit.

Neni 32 :

  • Pika 4, Komisioni i Politikës së Jashtme të Kuvendit duhet të japë gjykim mbi kandidatin për Ambasador, kur ai paraqet platformën e tij të punës gjatë mandatit të tij, ashtu siç ka qënë e parashikuar më parë, përfshi Ligjin e vitit 2015. Mendimi i këtij Komisioni duhet t’i përcillet Presidentit të Republikës, përpara dekretimit të  Ambasadorit në fjalë.
  • Pika 6, mandati duhet të jetë deri në 4 vite.
  • Pika 7, i Ngarkuari me Punë duhet të emërohet nga Kryeministri, me propozim të Ministrit të Jashtëm, mbasi i Ngarkuari me Punë është Titullar i Misionit dhe ky nivel përfaqësimi mund të jetë për arsye politike në vendin pritës, afatgjatë, etj.
  • Në Pikën 8, në çdo rast, përcaktimi i drejtuesit të Misionit të bëhet me miratim të Ministrit, mbasi diplomati në atë detyrë bëhet Titullar i Misionit. Kjo të shprehet në mënyrë eksplicite në ligj.

Neni 33 :

  • Pika 1, kreu i Misionit duhet të përzgjidhet nga ata diplomatë që mbajnë gradën diplomatike Ministër Fuqiplotë dhe Ambasador
  • Pika 2 duhet vënë tavani deri në 15%.

Neni 37:

  • Pika 1 duhet të përcaktohet si diplomat karriere dhe jo thjesht diplomat; sipas këtij Projekt-ligji ky term merr karakter abuziv dhe subjektiv.
  • Në rastet kur kërkohen ekspertë të përkohshëm nga jashtë sistemit, duhet të mirë-argumentohen si “rast tejet i veçantë” nga një grup pune i ngritur posaçërisht për këtë qëllim. Përzgjedhja e tyre duhet të bëhet me konkurs, me terma të mirë përcaktuar dhe për rekrutimin e tyre duhet të angazhohet Komisioni i Karrierës, i cili duhet të emërohet nga SP.
  • Ministrit i duhet kufizuar vëndimmarja në përzgjedhjen e kandidatëvë të ekspertëve, për të eliminuar çdo tendencë klientelizmi, partitizmi dhe dëmtim të karrierës.
  • Neni 4 është abuziv. Nuk ka pse dhe nuk mund të këtë 2 Ambasadorë në të njëjtin Mision Diplomatik, ndërkohë që grada “Ambasador” jepet më Dekret Presidenti, jo nga Ministri.

Në Nenin 40, të shtohet “personat që synojnë të bëhen pjesë e Shërbimit të Jashtëm të mos kenë nënshtetësinë e ndonjë shteti tjetër, mbasi ata do të jenë dhe nën juridiksionin e shtetit tjetër”.

Neni 44 pika c dhe ç, grada e DP dhe SP duhet të jetë Ministër Fuqiplotë dhe Ambasador.

Në Nenin 45, pika 2, të hiqet referenca “publike” tek organizatat ndërkombëtare.

Në Nenin 46, pika 1, lidhur me përzgjedhjen e diplomatëve të karrierës në poste diplomatike dhe konsullore jashtë vendit, të shtohet  fraza “…mbas përzgjedhjes nga Komisioni i Emërimeve, i drejtuar nga SP të kandidaturave që kanë konkuruar për postin vakant, në bazë të njoftimit paraprak për vendet vakante, duke përmbushur kriteret e përcaktuara…”.

Në Nenin 50, pika 5, grada Ministër Këshilltar sugjerojmë të ketë dhe 1 mandat si Titullar Misioni, ndërsa pika 6 Ministër Fuqiplotë të ketë 6 vite eksperience në poste drejtuese (të përfshihet tek posti drejtues dhe ai i Përgjegjësit të Sektorit, i cili duhet të përllogaritet në raportin 2:1 me atë të Drejtorit) dhe 2 mandate si Titullar Përfaqësie diplomatike apo Misioni.

Në Nenin 51, gërma dh, ngritja nga Ministër Këshilltar në Ministër Fuqiplotë të bëhet 6 vite dhe gërma e, nga Ministër Fuqiplotë në Ambasador të bëhet 8 vite dhe gjithsej karrierë 30 vite.

Në Nenin 52, pika b, Konsulli të barazohet me Këshilltar dhe 2 pozicionet e tjera të zbresin më poshtë.

Në Nenin 53, pika d, të shtohet dhe “institucionet homologe ndërkombëtare”.

Në Nenin 56, pika 7,  të shtohet “kur regjistrohet në listë pritje, duhet paguar me nivelin e pagës që merrte përpara largimit nga puna.”

Së fundi, na lejoni, Z. Ministër, të shprehim gjithë gatishmërinë tonë për t’u angazhuar në konsultime me grupin përkatës të punës për hartimin e Projekt-ligjit, në funksion të hartimit të një Ligji të denjë për Shërbimin tonë të jashtëm.

Me konsideratë,

Besnik MUSTAFAJ

President i Këshilli i Ambasadorëvë Shqiptarë

You need to add a widget, row, or prebuilt layout before you’ll see anything here. 🙂

Arena e Lajmit

Zbardhet letra për Hasanin/ Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë: Ja çfarë duhet të ndryshojë te projekt-ligji për Shërbimin e Jashtëm

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook