Egbo: Respekt për Tiranën, Bylisi im nuk do të zhgënjejë

Bylisi sot do të zbresë më fushë do të kërkojë që të marrë pikët maksimale edhe ndaj Tiranës, duke shënuar rikthimin te fitorja në shtëpi, njëkohësisht edhe ecurinë pozitive në kampionat.

Skuadra e trajnerit Emanuel Egbo ka punuar këtë periudhë me intensitet të lartë, ndërsa ka qëndruar në kushte grumbullimi, duke e shfrytëzuar këtë periudhë si një minifazë përgatitore. Trajneri Emanuel Egbo, në një prononcim që ka dhënë para ndeshjes, me optimizëm ka deklaruar se ai dhe të tijtë besojnë tek ecuria pozitive, madje lojtarët janë gati për të dhënë më të mirën në fushën e blertë.

Për “Panorama Sport”, Emanuel Egbo fillimisht ka pohuar se skuadra është gati. “Unë e vlerësoj Tiranën dhe çdo ekip, patjetër që janë ndeshje delikate javë pas jave dhe vlejnë 3 pikë. Ne jemi një ekip që jemi rikthyer në Superiore, por jemi një klub që ka dy dekada në elitën e futbollit shqiptar dhe eksperiencën e ka fituar për të përballuar dhe triumfuar në duele me ekipe me fanellë të rëndë.

Pastaj siç edhe e kemi parë në javët e shkuara edhe kjo me Tiranën do të jetë një ndeshje e radhës siç janë takimet dhe kundërshtarët e tjerë. Tirana është ekip i fortë, por dua të them se të gjitha ekipet janë njësoj dhe vlejnë 3 pikë, ne duhet që të bëjmë maksimumin”, tha trajneri i Bylisit.

Më pas Egbo ka folur edhe për situatën me afrimet dhe sulmuesit. “Grupi po kompaktësohet dhe për këtë kemi punuar shumë. Pres ende lojtarë në sulm, dhe mendoj se atëherë ekipi do të jetë i kompletuar. Janë bërë shumë afrime dhe mendoj se kemi ndërtuar një grup simpatik”, thotë ai.

Në fund duke qenë se Egbo në Shqipëri u bë i njohur si portier i Tiranës, duke fituar shumë trofe si “gardian”, por edhe si trajner kur mori titullin, nigeriani i pankinës së Bylisit, theksoi se nuk e ka ndeshje të veçantë.

“Për mua të gjitha ndeshjet dhe ekipet janë njësoj. E shoh si një ndeshje që ka tri pikët në lojë .Dua të theksoj se kam kaluar shumë mirë si te Tirana ashtu edhe në Ballsh. Luajmë në shtëpinë tonë dhe duhet që të bëjmë krenarë ata që po na mbështesin shumë këtë sezon. Qoftë si lojtar ashtu edhe si trajner ruaj respekt për të dy klubet dhe qytetet. Tashmë jam trajner i Ballshit, po jetoj dhe punoj këtu dhe dua që të bëjmë më të mirën për Ballshin dhe Bylisin. Kampionati sapo ka filluar, ne duhet që ndeshje pas ndeshje të rritemi sa më shumë në lojë, sepse i kemi mundësitë, por edhe të grumbullojmë sa më shumë pikë”, tha trajneri i Bylisit, Emanuel Egbo në prag të sfidës meTiranën.

Arena e Lajmit

Egbo: Respekt për Tiranën, Bylisi im nuk do të zhgënjejë

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook