Kuvendi i Shqipërisë u mblodh ditën e djehsme në seancë plenare.
Pas miratimit të procesverbalit të seancës plenare të datës 2.9.2024, seanca nisi me interpelancën urgjente me Kryeministrin e Shqipërisë zotin Edi Rama, kërkuar nga deputeti z. Gazmend Bardhi dhe më pas interpelanca urgjente me Zëvendëskryeministren dhe Ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë zonjën Belinda Balluku, kërkuar nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike.
Me kërkesë të kreut të grupit parlamentar të PD, z. Gazment Bardhi, kërkesë e cila u pranua nga kryetarja e Kuvendit, znj. Elisa Spiropali, Kuvendi i ndërpreu punimet për shkak të pjesëmarrjes së deputetëve të opozitës në ceremoninë e homazheve tek memoriali i Azem Hajdarit.
Pas ndërprerjes prej rreth një orë, Kuvendi vijoi me diskutimin e rendit të ditës, përkatësisht;
Shqyrtimin e dy Akteve Normative
Akt normativ nr. 2 datë 1.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.123/2014, “Për urdhrin e mjekëve në Republikën e Shqipërisë”. Znj. Albana Koçiu ministre në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale tha se amendimet në ligjin për “Urdhërin e Mjekëve në Republikën e Shqipërisë”, kanë si qëllim kryesor dhe parësor “shmangien e konfliktit të interesit të mjekëve, mes shërbimit shëndetësor që ata ofrojnë në sistemin publik me atë në sistemin jo publik. Ministrja Koçiu sqaroi në fjalën e saj se nëpërmjet këtij akti normativ synohet të sigurohet që mjekët të veprojnë në përputhje me standardet më të larta etike dhe profesionale, duke garantuar një shërbim shëndetësor të cilësisë së lartë për qytetarët e Republikës së Shqipërisë.
Deputetë të opozitës të cilët diskutuan lidhur me aktin normativ shprehën mosdakordësi për këto ndryshime pasi e konsideruan “Akt Normativ që bie ndesh me konceptet e Kushtetutës dhe antikushtetues”.
Akti normativ u miratua me 74 vota pro 26 kundër 0 abstenim.
Akti Normativ nr. 3 datë 28.8.2024.”Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2023, “Për buxhetin e vitit 2024””, të ndryshuar.
Në cilësinë e nismëtarit si ministër i Financave z. Petrit Malaj theksoi qëllimin dhe rëndësinë e miratimit të këtij akti normativ dhe e konsideroi atë “të një rëndësie të veçantë” . Z. Malaj argumentoi se disa prej çështjeve emergjente që adresohen përmes rishikimit të buxhetit lidhen me nevojën për të shtyrë përpara investime të rëndësishme në infrastrukturë, bujqësi, arsim e shëndetësi; zbatimin në kohë të Kodit të ri Zgjedhor.
Sa i përket rishikimit të buxhetit 2024, ministri Malaj tha se pritshmëritë për të ardhurat janë rritur me 27 miliardë lekë. “Rishikimi buxhetit parashikon: rritjen me rreth 27.3 miliardë lekë të të ardhurave buxhetore, nga të cilat: të ardhurat nga tatime e dogana rriten me +9.4 miliardë lekë; të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore rriten me +1.7 miliardë lekë; të ardhurat e njësive të vetëqeverisjes vendore rriten me +8 miliardë lekë (efekt neutral), bazuar në performancën e realizimit të tyre në buxhetin e vitit 2023 etj” tha z. Malaj.
Në emër të grupit parlamentar të PS, zonja Pranvera Resulaj ftoi deputetët ta miratonin aktin normativ me ndryshimet e propozuara pasi këto ndryshime mbështeten në një sërë faktorësh reale dhe projeksioneve të pritshme.
Akti normativ u miratua me 76 vota pro 25 kundër 0 abstenim.
Diskutimet plenare vijuan me shqyrtimin e gjashtë projektligjeve, përkatësisht;
Projektligj “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë””.
Në cilësinë e nismëtarit si ministër i Financave z. Petrit Malaj theksoi se zbatimi i këtij financimi i përket objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm (OZHQ), sipas Agjendës 2030 për zhvillimin e qëndrueshëm, përkatësisht: promovimi i rritjes ekonomike të qëndrueshme, gjithëpërfshirëse punësim të plotë e produktiv dhe punë të denjë për të gjithë; rritja e numrit të qyteteve që miratojnë dhe zbatojnë politika dhe plane të integruara drejt përfshirjes, efikasitetit të burimeve, zbutjes dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike dhe elasticitetit ndaj fatkeqësive; konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm, sigurimi i modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit etj.
Projektligji u miratua me 74 vota pro 24 kundër dhe 0 abstenim.
Projektligj “Për ratifikimin e letrës së pjesëmarrjes së Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë në memorandumin e mirëkuptimit për Qendrën Evropiane të Ekselencës kundër Kërcënimeve Hibride””. Argumentimin e projektligjit, qëllimin dhe objektivat e tij i prezantoi z. Taulant Balla, ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin, i cili tha se pjesëmarrja në këtë Qendër ka përparësi në; akses në ekspertizë dhe në burime të specializuara, përmirësim të kapaciteteve kombëtare pasi “Duke marrë pjesë në programe të specializuara trajnimi dhe duke përfituar nga ekspertiza e Qendrës, vendi ynë do të rrisë ndjeshëm kapacitetet për të mbrojtur infrastrukturat kritike dhe të rëndësishme të informacionit dhe për të përmirësuar sigurinë kombëtare” theksoi z. Balla në fjalën e tij..
Projektligji u miratua me 94 vota pro 1 kundër 0 abstenim.
Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.64/2012, “Për peshkimin”, të ndryshuar.
Në cilësinë e nismëtarit znj. Anila Denaj e cilësoi projektligjin me rëndësi për të ardhmen e peshkimit dhe theksoi se “Ky projektligj do të krijojë mundësitë për dhënien e lejeve të reja për peshkim përtej Mesdheut. Flota jonë e peshkimit përbëhet aktualisht nga 811 mjete lundruese, dhe për të zhvilluar aktivitet peshkimi në detra të largëta, këto anije duhet të jenë më të mëdha dhe të pajisura me teknologji moderne dhe më të avancuar.
Pas diskutimeve anëtarët miratuan projektligjin me 74 vota pro 6 kundër 0 abstenim.
Për këtë projektligj deputeti z. Erion Braçe kishte paraqitur tre amendamente të cilat u rrëzuan me shumicë votash.
Projektligj “Për inspektimin në Republikën e Shqipërisë”.
Në emër të grupit parlamentar të PS znj. Klotilda Bushka tha se ky projektligj synon të përmirësojë qasjen në këshillim për bizneset dhe qytetarët, të krijohet një platformë që ofron këshillime dhe udhëzime të qarta mbi kërkesat ligjore dhe proceset e inspektimit. “Kjo do të ndihmojë bizneset dhe qytetarët të kuptojnë më mirë detyrimet e tyre dhe të marrin përgjigje për çdo pyetje ose shqetësim që kanë në lidhje me rregullat dhe inspektimet” sqaroi znj. Bushka
Edhe znj. Delina Ibrahimi në cilësinë e nismëtarit sqaroi se qëllimi i këtij projektligji është konsolidimi dhe përmirësimi i mëtejshëm i veprimtarisë dhe sistemit të inspektimeve, për të siguruar mbrojtjen e interesit publik, forcimin e transparencës dhe llogaridhënies në veprimtaritë e inspektimit, duke pasur parasysh të drejtat e subjektit të inspektimit.
Projektligji u miratua me 74 vota pro 24 kundër 0 abstenim.
Projektligj “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr.43/2023, “Për qeverisjen elektronike”. Në cilësinë e nismëtarit z. Taulant Balla ministër për Marrëdhëniet me Shtetin theksoi disa prej propozimeve për ndryshim ku mes të tjerash theksoi: ofrimin e shërbimeve të autentifikimit, nënshkrimit elektronik, vulës elektronike dhe certifikatës elektronike, të cilat mundësojnë të njëjtën vlefshmëri ligjore dhe fuqi provuese me formën shkresore, dhe për shtetasit shqiptarë dhe ata të huaj.
Znj. Edona Bilali në emër të grupit parlamentar të mazhorancës theksoi se nëpërmjet këtyre ndryshimëve parashikohet ofrimi i shërbimit të nënshkrimit elektronik për shtetasit
shqiptarë dhe të huaj, ndryshim ky, i cili sjell risi të shumta për qytetarët, duke përfshirë lehtësimin e procedurave administrative,reduktimin e nevojës për printim dhe dorëzim fizik të dokumenteve dhe sigurimin e një mënyre të sigurt e më të lehtë për të firmosur dokumentet dhe përmirësuar e lehtësuar qasjen në shërbimet qeveritare dhe me bizneset.
Projektligji u miratua me 75 vota pro 24 kundër 1 abstenim.
Projektligj “Për një shtesë në ligjin nr. 43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë””. Z. Igli Hasani Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme në cilësinë e nismëtarit, sqaroi se ky projektligj, ka si qëllim përmirësimin në funksion të zbatimit të marrëveshjeve ndërkombëtare të lidhura nga institucionet shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
“Ajo çfarë synohet të arrihet me këtë ndërhyrje është dhënia e mundësisë Këshillit të Ministrave titullarëve të institucioneve që në varësi të angazhimeve që merren përsipër nga marrëveshjet, të nxjerrin akte nënligjore për të përcaktuar rregulla më të hollësishme për zbatimin në praktikë për palën shqiptare .
Ky projektligj u miratua me 75 vota pro 2 kundër 2 abstenim.
Projektvendim “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të 1/10 së deputetëve për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka”.
Ky projektvendim u rrëzua me 25 vota pro, 9 kundër, 65 abstenim .
Kryetarja e Kuvendit znj. Spiropali njoftoi se “Teksa Kuvendi ka zbatuar gjithë procedura parlamentare për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, meqë ky vendim nuk miratohet, pasi nuk arriti shumicën e kërkuar nga ligji, nesër i drejtohem Komisionit të Venecias për mendim të specializuar mbi standartet e zbatueshme në vendimarrjet e pushtetit legjislativ raportin dhe konkurueshmerine e parimeve të parashikuara ne te drejten kushtetuese dhe per rastet e papajtueshmerise se mandatit te deputetit”
Seanca i mbylli punimet rreth orës 12.45.