Pas ndarjes tronditëses nga jeta të Gerti Bogdanit, ish-deputetit të Partisë Demokratike kanë ardhur një sërë reagimesh nga të dyja kahet e politikës, në solidarizim me familjen e 44-vjeçarit.
Nga kryeministri Edi Rama te kryedemokrati Sali Berisha, Ilir Meta dhe shumë të tjerë, politikanët më të njohur në vend kanë shprehur mesazhet e tyre të ngushëllimit për familjarët dhe të afërmit e Bogdanit.
“Keqardhje për ndarjen kaq të parakohshme nga jeta dhe ngushëllime bashkëshortes e familjes Bogdani”, u shpreh kryeministri Edi Rama në mesazhin e tij.
“Ky lajm i zi në këtë moment më erdhi këtu në tavolinë. Ky është një lajm shokues. Gerti Bogdani ka qenë dhe do të mbetet në memorien time, njëri nga personalitetet e reja të PD-së më të njohura, më të shquara. Ka qenë një politikan demokrat, me civilitet, me formim me përgatitje, me ndershmëri, me urtësi, në shkallën më të lartë. Kjo është një humbje e madhe për PD-në, por është një humbje e vërtetë për shoqërinë shqiptare”, u shpreh mes të tjerash nga ana tjetër kreu i PD, Sali Berisha gjatë një konference, gjatë së cilës mori edhe lajmin.
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shpreh më tej në mesazhin e tij se Bogdani krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes.
“Thellësisht i trishtuar nga lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gert Bogdani.
Gjatë gjithë angazhimit të tij politik, ai krijoi një model pozitiv për të rinjtë duke i nxitur të jenë pjesë e vendimmarrjes.
Ngushëllimet më të ndjera bashkëshortes Edlira, dy vajzave të tij, të afërmve dhe të gjithë bashkëpunëtorëve, për këtë humbje të pazëvendësueshme.
I paharruar kujtimi i tij! Të prehet në paqe!”, u shpreh kreu i PL.
Edhe kreu i Partisë Repulibkane dhe njëherazi mik i Bogdanit, Fatmir Mediu shprehu keqardhjen e tij për 44-vjeçarin, duke thënë se ish-deputeti demokrat ishte një njeri me cilësi të veçanta.
“Eshte shokuese, miku im prej vitesh Gerti Bogdani, deputet i Partise Demokratike, ish kryetar i FRPD nje njeri me cilesi te vecanta njerezore nderroj jetë.
Të gjithë jemi pa fjalë, kjo është dhimbje e madhe.
Zoti i dhëntë forcë Edlirës dhe fëmijëve, prindërve dhe vëllait të Gertit në këtë moment shumë të vështirë.
Prehu në paqe miku im pranë Zotit që ti besoje aq shumë”, u shpreh Mediu.
Nuk ka munguar edhe reagimi nga Lulzim Basha, i cili shkroi se është i tronditur nga largimi i papritur dhe i parakohshëm të Bogdanit.
“Jam i tronditur nga lajmi për largimin e papritur e të parakohshëm nga jeta të mikut dhe bashkëpunëtorit tim Gerti Bogdani. Ngushëllimet e mia më të ndjera familjes në këto orë të vështira. Mendimet dhe lutjet e mija janë me ta në këtë dhimbje të madhe.
Një shpirt i lirë dhe i përkushtuar ndaj të tjerëve, një politikan i talentuar dhe me vlera, Gerti shërbeu me pasion dhe integritet në funksionet e tij publike, duke nderuar Partinë Demokratike me përfaqësimin dinjitoz brenda dhe jashtë vendit.
Në këtë ditë zie, kur familja ka humbur njeriun e saj më të shtrenjtë, demokratët kujtojnë me respektin më të madh modelin e intelektualit konsensual dhe njërin nga përfaqësuesit e tyre më të përkushtuar, dhe unë një mik të paharrueshëm. U prehtë në paqe”, u shpreh Basha.
Pavarësisht kaheve politike, edhe kreu i Grupit Parlamentar të PS, Bledi Çuçi shprehu mesazhin e tij ngushëllues për të afërmit e Bogdanit, duke e cilësuar ndarjen e tij nga jeta si lajm të kobshëm, për të cilin “zor se gjen fjalë për të zbutur peshën e dhimbjes.
“Lajm i kobshëm ndarja e papritur nga jeta e kolegut tonë dhe ish-deputetit, Gerti Bogdani. Zor të gjesh fjalë që zbusin peshën e rëndë të dhimbjes e të zemrave të bëra gur prej tronditjes. Ngushëllime bashkëshortes, fëmijëve e familjarëve të Gertit. U prehsh në paqe e dritë të pastë shpirti”, u shpreh Çuçi.
Të shumëta ishin reagimet nga radhët e demokratëve me Ervin Salianjin, Flamur Nokën dhe të tjerë që shprehën mesazhet prekëse për ish-bashkëpunëtorin e tyre, Gerti Bogdani.
“E pabesueshme, kjo ikje pa kohë Gert!
Tronditës lajmi për ndarjen e parakohshme nga jeta i mikut dhe ish-kolegut Gerti Bogdani. Një nga djemtë më të mirë në Partinë Demokratike, një nga të rinjtë më energjik dhe kontributor i palodhur që nga Forumi Rinor dhe deri në Parlamentin e Shqipërisë!
Ngushëllime të sinqerta Edlirës, familjes dhe miqve! Prehu në paqe Gerti”, u shpreh Salianji.
“Ra bombë ky lajm i ikjes tënde o Gerti. Djalë i ri, baba, bashkëshort, intelektual e me gjithë të mirat e Zotit. Solle në #PD kulturë debati, qetësi e mirësjellje. Ndjej keqardhjen më të madhe për të shtrenjtët e tu që le pas dhe për jetën tënde të këputur në mes. Thonë që nuk ka radhë në këto punë, thonë se janë punët e Zotit, por për mua e për të gjithë që ndanë çaste jete me ty është padrejtësi e madhe ikja kaq i ri. Ngushëllimet më të ndjera familjes Bogdani! Ngushëllime familjes tënde, që do të të mbajnë në zemër përjetë bashkë me miqtë e tu të shumtë. Lamtumirë Gert Bogdani! Të gjithë do të vijmë një ditë atje. U prehsh në paqe! Dhimbja mbeti pas teje”, thuhet në mesazhin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD, Flamur Nokës.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi e cilësoi largimin nga jeta të Bogdanit si humbjen e një prej djemve më të mirë të familjes politike të demokratvëe.
“Familja jonë politike humbi sot një nga djemtë e saj më të mirë. Largimi para kohe i mikut Gert Bogdani na ka trishtuar pafund të gjithëve. Ngushëllime të sinqerta Edlirës, prindërve, familjes, dhe miqve për këtë humbje të madhe dhe shokuese! Ngushëllime edhe demokratëve që e respektuan dhe e vlerësuan për modelin e tij qytetar në politikë! Prehu në paqe mik i mirë!”, u shpreh ai.
Sakaq, për ditën e nesërme është anuluar edhe seanca e planifikuar parlamentare, pasi në ambientet e Kuvendit do të mbahen homazhet për ish-pjesëtarin e Parlamentit.
Homazhet do të mbahen nesër në sallën ku mbahen seancat plenare. Homazhet mbahen nga ora 10:00 deri në 12:00. Seanca e rregullt plenare shtyhet për të premten.