Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Silver”, ndërsa ka nisur procedimi penal ndaj një shtetaseje dhe po punohet për kapjen e një tjetër personi, që dyshohet se tregtonin bixhuteri kontrabandë.
Nga operacioni janë sekuestruar 9830 gram aksesorë argjendi, që dyshohet se ishin kontrabandë. Kontrollet kanë përfshirë dy subjekte.
“Në kuadër të këtij operacioni u procedua penalisht shtetasja D. B., 50 vjeçe, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, ”Kontrabanda me mallra të tjerë” dhe ”Tregtimi dhe transporti i mallrave që janë kontrabandë” parashikuar nga nenet 180, 174 dhe 178 të Kodit Penal. Gjithashtu po punohet për lokalizimin e djalit të saj, shtetasit I. B., 28 vjeç.
Gjatë operacionit është ushtruar kontroll në një subjekt në rrugën “Muhamet Gjollesha”, dhe në një tjetër në një qendrër tregtare në rrugën Tiranë-Durrës. Gjatë kontrolleve në këto subjekte, shërbimet e Policisë, gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, aksesorë argjendi për të cilat nuk disponoheshin fatura doganore e tatimore dhe të ardhurat e përfituara nga shitja e tyre, fshiheshin nga dy autorët e dyshuar.
Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar aksesorë argjendi, me peshë 9830 gram, të dyshuar të kontrabanduar”, thuhet në njoftimin e policisë.