Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë), nga hetimet e kryera në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka ndaluar punonjësin e policisë N/ Komisar E.Ç., 30 vjeç, me detyrë Specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak, në DVP Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.
Ndalimi u krye pas publikimit të rastit në emisionin investigativ “Fiks Fare” dhe marrjes së kallëzimit nga oficerët e AMP-së të shtetasit J.L., në lidhje me ngjarjen e datës 22.07.2024, ku në një biznes të fushës së ndërtimit, është aksidentuar punonjësi i këtij subjekti. Nga ana e tij, Specialisti i Krimeve nuk ka marrë masa për këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe kryerjen e veprimeve të tjera hetimore për veprën penale “Shkelje e rregullave të sigurisë në punë”.