Avokati i Ervin Salianjit, Redi Ramaj ka folur në studion e emisionit “Log” në lidhje me situatën e klientit të tij.
Ramaj u shpreh se me deputetin demokrat është bërë një padrejtësi, ndërsa shtoi se do të jetë e vështirë të bëhet një kërkesë për rekurs në Gjykatën e Lartë, duke qenë se ka një mungesë të zbardhjes së vendimit që çoi Salianjin në burg.
“Nuk kishte një akt procedural, apo deklarime të rreme përpara policisë gjyqësore nga zoti Salianji që të dënohej për kallëzim të rremë”, u shpreh Ramaj mes të tjerash.
Sakaq, ai foli edhe për mënyrën se si e priti Salianji vendimin, duke thënë se ai shfaqi vendosmëri për t’u përballur me vendimin e gjykatës dhe duke refuzuar nismën e grupit të PD për të bllokuar arrestimin.
“Salianji ka pasur një sjellje normale, njerëzore pas marrjes vesh të asaj që do të ndodhte. Rruga e tij do të jetë e vështirë. Sot tregoi vendosmërinë duke u përballur me grupin e PD, i cili donte të bllokonte arrestimin e Salianjit. Të afërmit e tij kanë qenë të shqetësuar, është e kuptueshme. Komunikimet e tij me familjen kanë qenë të vazhdueshme deri në momentin e fundit para se të hynte në polici”, tregoi Ramaj.