Deputetja e PD-së Albana Vokshi ka folur në emisionin “Frontline” në Neës24 për listat e anëtarësisë të përdorura në zgjedhjet për kreun e PD. Vokshi tha se u përdorën listat e 2019, duke pranuar se ishin të fryra në disa degë për t’i garantuar çdo anëtari të drejtën e votës.
“Ne kishim një listë, pavarësisht se është një listë që e ne pranojmë se nuk është e saktë, është fiktive, ka anëtarësi të fryrë në disa degë, por anëtarët janë aty. E rëndësishme është që të mos i mohohet asnjë demokrati vota. Ne lamë të vetmen listë që gjetëm, se atë gjetëm, të 2019 dhe vendosëm të mbajmë atë listë.
Ne jemi marrë me organizimin deri tani të PD-së sepse një parti eficente, efikase e para duhet të jetë e mirëorganizuar sepse nëse nuk është mirëorganizuar, këputet hallka. Ne kishim një boshllëk shumë të madh, ardhur pas shtatorit, me foltoren, me rithemelimin. Më 11 dhjetor u shkarkuan me votën e Kuvendit Kryesia, u pezullua Këshilli Kombëtar, kishim një zbrazëti. Emergjente ishte të bëhej riorganizimi në bazë, pa i humbur votën asnjë anëtari. I kemi garantuar çdo demokrati që të ushtronte të drejtën e votës, ajo që na merakoste më së shumti. Menjëherë sapo të mbarojë dhe kryesia dhe sekretariatet, gjëja e parë, detyra e parë, pastrimi i listave dhe pasja e një liste zyrtare të anëtarësisë të saktë”, deklaroi Vokshi.
Ajo foli dhe për akuzat e kandidatit për kreun e PD Ibsen Elezi dhe kërkesën për dorëheqje.
“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të operacioneve elektorale është një institucion statutor. Nuk qëndrojnë ato që ka thënë z. Elezi. Në ditën e parë ai nënshkroi një deklaratë që do ruante etikën, larg retorikës së urrejtjes, fyerjes, nuk i është përmbajtur, por ne e kemi toleruar. Kemi siguruar në kohë reale çdo kërkesë të tij. Komisioni ka qenë në gatishmëri dhe 24 orë që të mos kishte asnjë vakum që gara të ishte e barabartë”, tha Vokshi.