Pak orë para protestës së opozitës, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka dalë me një mesazh, ku bën thirrje për pjesëmarrje.
Në reagimin e tij, Mediu shprehet se sot shqiptaret do të dalin të protestojnë, jo për opozitën, por për veten, familjen e tyre dhe Shqipërinë.
Sipas Mediut, ‘ky pushtet po hyn në çdo shtëpi, duke detyruar shqiptarët të braktisin vendin, ose ulin kokën, nën lëmoshën e varfërisë dhe mëshirën e qeverisë”.
Deklarata e plotë e Mediut:
Sot shqiptarët do të dalin të protestojnë, jo për opozitën, por për veten, familjen e tyre dhe Shqipërinë. Sot ata ndihen të pashpresë dhe të braktisur.
Sot ata ndihen të pashpresë dhe të braktisur. Sot nuk ka as shtet, as Kushtetutë, por vetëm një grup njerëzish që qeverisin pa ligj dhe punojnë çdo moment, vetëm për interesat e tyre dhe jo të shqiptarëve.
Nuk qeveriset me ligj dhe norma, por me urdhra dhe për interesa okulte klanore.
Fjala e lirë është mbytur nga frika e humbjes së vendit të punës, nga presioni i pushtetit dhe kontrolli i mediave.
Asnjë e drejtë dhe liri themelore, liri ekonomike dhe politike e qytetarëve dhe opozitës, nuk respektohet, nëse nuk i shërben Ramës dhe qeverisë.
Departamenti i Shtetit, në raportin e tij, ka deklaruar se; Shqipëria është problem për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës, me lidhje që nga kartelet e drogës në Amerikën latine dhe influencë në Europë dhe Britani.
OSBE/ODHIR deklaron se; nuk ka zgjedhje të lira, nuk bëhet reformë zgjedhore. Votat blihen dhe vidhen me një ushtri patronazhistësh dhe banditësh, që bëjnë shantazh në emër të shtetit.
Administrata është shkatërruar dhe është në funksion të qeverisë.
Ka vetëm një pushtet mbi ligje mbi Kushtetutë, mbi gjyqësor, dhe ky është pushteti i një njeriu të vetëm, Ramës.
Pushteti gjyqësor përdoret si armë politike kundër opozitës, në kundërshtim me Kushtetutën, kodet dhe ligjin.
Çdo shqiptar sot duhet të kuptojë se nuk është duke soditur fatin e opozitës, por fatin e tij dhe familjes së tij.
Ky pushtet po hyn në çdo shtëpi, duke detyruar shqiptarët të braktisin vendin, ose ulin kokën, nën lëmoshën e varfërisë dhe mëshirën e qeverisë.
Të gjithë në protestë, për familjen tonë dhe Shqipërinë!
()