Zëvendës presidentja e Partisë së Lirisë, deputetja Erisa Xhixho ka folur sot në News24 për protestën e opozitës dhe kërkesat që ka opozita.
Xhixho e cila pohoi se do të jetë e pranishme në protestë, theksoi se PL ka mbështetur çdo protestë të qytetarëve. Ajo deklaroi se zemërimi i opozitës arriti kulmin me rrëzimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin “Xhaçka” si dhe me burgosjen pa ligj të deputetit të PD-së Ervin Salianji.
“Kjo protestë ka një rëndësi të veçantë, përveç keqqeverisjes, aferave korruptive, kulmi arriti në dy momente të fundit, rrëzimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për rastin ‘Xhaçka’ dhe burgosja pa ligj e deputetit Salianji. Me rrëzimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese ka rënë shteti ligjor, demokracia, kontrolli dhe balanca mes pushteteve. Ishte një kambanë alarmi për të gjithë sistemin në të cilin jetojmë”, tha Xhixho.
Ajo theksoi se opozita kërkon zgjedhje të lira, atë që kërkojnë të gjithë shqiptarë.
“Së pari i gjithë koalicioni opozitar dhe ne padyshim kërkojmë atë që kërkojnë shqiptarët, zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe një qeveri teknike si parakusht për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Aferat korruptive janë padyshim një nga arsyet e shumta pse protestojmë”, tha ajo.
Sipas saj, protesta është një nga mekanizmat demokratikë të opozitarizmit teksa zbardhi dhe disa detaje nga protesta. “Nuk do ketë fjalime sepse qytetarët nuk kërkojnë fjalime, por aksione të vazhdueshme për të kërkuar llogari ndaj kësaj qeverie.
Rasti i dënimit të kolegut tonë Ervin Salianji padyshim që mbushi kupën e arrogancës së kësaj qeverie.
Kemi dënim pa ligj. Kallëzimi i rremë publik për të cilën u dënua Salianji nuk ekziston në jurisprudencën penale.
Kur i bëhet kjo një deputeti që nuk është në burg për afera korruptive, por për një kallëzim në detyrën e tij si deputet dhe kur i ndodh kjo një deputeti, mund t’i ndodhë çdo qytetari”, tha Xhixho.
Ajo tregoi se përfaqësuesit e PL do të mblidhen te selia e kësaj force dhe më pas do t’iu bashkohen protestuesve.
“Do mblidhemi te PL dhe më pas do i drejtohemi sheshit. Do ketë një përqendrim më të madh para kryeministrisë. Jemi në bisedime me PD për mënyrën e vendosjes së njerëzve, për thirrjet. Qytetarët duhet të protestojnë masivisht për të dhënë që kanë zë. Besoj se do ketë një mbështetje masive të protestës”, u shpreh deputetja e PL.