Nis me përplasje protesta e opozitës te Kryeministria. Ishin fillimisht deputetët e PD të cilët u përplasën fizikisht me uniformat blu që përbënin koordonin te selia qevetaritare. Protestuesit kanë hedhur kapsolla dhe bomba molotov drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia është përgjigjur me spraj lotsjellës. Tensionet kanë zgjatur disa minuta, ndërsa me altoparlant polciia i bëri thirrje protestuesve të ndalin aktet e dhunshme. Pas qëndrimit para Kryeministrisë, deputetët e PD udhëhoqën protestuesit drejt një tjetër marshimi në këmbë.
Zhvillimet minutë pas minute nga protesta
Ora 19.23 Protestuesit në drejtim të selisë së PS-së
Një grup protestuesish që udhëhiqen nga grupi i deputetëve i janë drejtuar segmentit rrugor në drejtim të godinës së Partisë Socialiste, e cila ndodhet pranë sheshit Skënderbej, dhe pas godinës së Bankës së Shqipërisë.
Ora 19.21 Protestuesit drejt selisë së PS, bllokojnë qarkullimin. Thirrje të mos prekin makinat
Ora 19.18 Protestuesit djegin stacionin e autobusit gjatë marshimit në “Unazë”
Ora 19.10 Protestuesit marshojnë në këmbë përgjatë Bulevardit, i paqartë skenari
Ora 19.07 Molotovi djeg pemën te Kryeministria
Menjëherë sa nisi protesta përpara kryeministrisë, protestuesit hodhën molotov drejt godinës qeveritare. Një prej tyre shkoi edhe tek pema përpara gardhit të kryeministrisë e cila mori flakë.
Ora 19.00 Deputetët e PD në ballë të përplasjes me policinë te Kryeministria
Në ballë të përplasjeve fillimisht ishin deputetët e PD. Pas tyre me policinë u përleshën edhe protestuesit. Kapsolla dhe bomba molotov u hodhën drejt Kryeministrisë. Ndërsa policia përdori spraj lotsjellës drejt protestuesve.
Ora 18.58 Nisin përplasjet te Kryeministria, protestuesit hedhin bomba molotov, policia përgjigjet me spraj lotsjellës
Ora 18.53 Meta: Protesta e opozitës do të vijojë deri në arritjen e objektivave
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka lënë selinë e PL-së së bashku me zyrtarë të tjerë të kësaj partie për t’iu bashkuar protestës së opozitës para Kryeministrisë. I pyetur nga mediat gjatë marshimit drejt bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, Meta u shpreh se protesta e opozitës do të vijojë deri në arritjen e objektivave të saj.
Ora 18.46 Presidenti i PL, Ilir Meta niset drejt protestuesve
Ora 18.37 Deputetët e PD dalin nga selia dhe nisen drejt Kryeministrisë, mungon Berisha, prijnë Bardhi, Noka e Paloka
Deputetët e grupit parlamentar të PD kanë dalë nga selia e PD dhe po marshojnë drejt Kryeministrisë. Flamur Noka, Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi dhe Edi Paloka i prijnë grupit të deputetëve të shoqëruar nga protestuesit. Kryetari i PD, Sali Berisha mungon në këtë protestë pasi ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit 2023 për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.
Ora 18.35 Policët monitorojnë protestuesit nga tarraca e Kuvendit
Teksa bulevardi Dëshmorët e Kombit është bllokuar nga protestuesit e opozitës në kuadrin e mosbindjes civile, edhe forcat e rendit janë mobilizuar. Përveç forcave të policisë që kanë rrethuar institucionet më të rëndësishme, në fokusin e kamerave kanë përfunduar edhe disa efektivë të rendit që qëndrojnë në tarracën e Kuvendit. Këta të fundit besohet se janë duke monitoruar protestuesit e opozitës, një metodë e ndjekur edhe në tubime dhe protestë të mëhershme.
Ora 18.30 Opozita nis mosbindjen civile, protestuesit bllokojnë automjetet, paralizohet qarkullimi pranë Bashkisë së Tiranës
Protestuesit e opozitës kanë bllokuar rrugën nga Ministria e Brendshme drejt Bashkisë së Tiranës. Pati përplasje edhe mes protestuesve e drejtuesve të automjeteve. Policia ka ndërhyrë duke shmangur përshkallëzimin e situatës.
Ora 18.15 Të rinjtë e FRPD, të parët që marshojnë drejt Kryeministrisë
Mbështetës të opozitës të mbledhur në oborrin e selisë së PD-së janë nisur drejt Kryeministrisë, atje ku në rreshtin e parë të rrethimit policor janë vendosur policë me skafandra dhe kokore, duke zhvendosur në këtë mënyrë efektivët e rendit. Turma e mbështetësve udhëhiqet nga të rinjtë e FRPD-së, anëtarët e Kryesisë së PD, deputetët dhe zyrtarë të tjerë të lartë të opozitës. Ata mbajnë në duar një pankartë ku është stampuar një foto e kryeministrit Edi Rama dhe shkruhet në gjuhën angleze: Mafia = Bëje Shqipërinë të lirë përsëri.
Ora 18.10 Protestuesit ende te selia e PD, pritet marshimi drejt Kryeministrisë
Ora 18.03 Shënohet akti i parë i mosbindjes civile, i vihet flaka një gome përballë Presidencës
Një gome automjeti i është vënë flaka përballë Presidencës. Policia ka ndërhyrë me fikëset e zjarrit. Mësohet se goma është djegur nga një protestues i opozitës.
Ora 17.50 Dule dhe Ndoka në selinë e PD
Kreu i PBDNJ, Vangjel Dule i partisë PBDNJ dhe Nard Ndoka i Partisë Demokristiane i janë bashkuar protestës së thirrur nga Partia demokratike. Dule e Ndoka shihen ndërsa futen në selinë e PD para se të nisen drejt kryeministrisë.
Ora 17:48 Simpatizantët e PD mblidhen në oborrin e selisë blu
Mbështetës të opozitës janë mbledhur në oborrin e selisë së Partisë Demokratike, në pritje të marshimit drejt godinës së Kryeministrisë.
Ora 17:30 Policia “blindon” ndërtesat qeveritare
Forcat e Policisë kanë rrethuar godinat kryesore qeveritare, por edhe selinë e Parlamentit dhe Bashkisë së Tiranës. Në zonat pas godinës së Kryeministrisë dhe Ministrisë së Brendshme janë pozicionuar efektivë të trupave të FNSH si dhe autobotet me ujë. Gjithashtu në oborrin e Parlamentit janë stacionuar forca të shumta policore.
Ora 17.20 “Pakti për vdekjen e Universitetit”/ Një grup studentësh të parët që nisin marshimin e protestës
Para godinës së Kryeministrisë janë mbledhur protestuesit e parë në protestën e thirrur nga Partia Demokratike. Të rinj nga universiteti po protestojnë me një pankartë në të cilën shkruhet ‘Pakti për vdekjen e Universitetit’.
LIVE – Protesta e opozitës
()