Basha takim me Shaip Kamberin: Lugina e Preshevës kërkon mbështetje urgjente nga Tirana dhe Prishtina

Kryetari i PD-Demokratët Euroatlantikë, Lulzim Basha, gjatë qëndrimit në Luginën e Preshevës ditën e sotme, është takuar edhe me deputetin e shqiptar në parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi. Pas takimit ata patën dhe një komunikim të përbashkët ku shprehen nevojën urgjente për mbështetje ndaj shqiptarëve të këtyre trevave.

Deputeti Kamberi falëndëroi Bashën për vizitën dhe tha se është e rëndësishme që të kemi bashkëpunim shumë më të afërt me politikën në Tiranë, qoftë në opozitë qoftë në pozitë. Sipas tij, Lugina e Preshevës sot është e rrezikuar, bërthama kombëtare këtu është e rrezikuar dhe mbështetja e PTiranës dhe Prishtinës është mëse e nevojshme.

“Kënaqësi e veçantë që sot në Bujanoc presim Lulzim Bashën, me të cilin biseduam për sfidat e shumta me të cilat përballen shqiptarët në Luginë të Preshevës. Në vazhdimësi me diskriminimin e përgjithshëm i cili është i cili është i imponuar nga një sistem totalitar i Serbisë. Me pasivizimin e adresave, me mos integrimin në organet shtetërore, me mos zhvillim ekonomik dhe me një trysni të vazhdueshme që përmes militarizimit Serbia po e bën dhe që shkakton valë të largimit sidomos të të rinjve shqiptarë. Është e rëndësishme që të kemi bashkëpunim shumë më të afërt me politikën në Tiranë, qoftë në opozitë qoftë në pozitë. Lugina e Preshevës sot ka nevojë për ndihmën e secilit. Lugina e Preshevës sot është e rrezikuar dhe bërthama kombëtare këtu është e rrezikuar. Parandaj kemi nevojë për mbështetje dhe për bashkëpunim me të gjitha institucionet qoftë në Prishtinë, qoftë në Tiranë. Por në vazhdimësi edhe me forcat politike edhe në Kosovë edhe në Shqipëri.
E mirëpresim takimin e parë në Bujanoc të zotit Basha dhe shpresoj që të kemi takime në vazhdimësi edhe në Tiranë, të kemi vizita të tjera këtu në Luginë të Preshevës, sepse me angazhim të përbashkët jemi të besimit që do t’i tejkalojmë këto sfida me të cilat po përballemi. Unë e informova në detaje për situatën, për përfaqësimin parlamentar të shqiptarëve, për pozitën time si deputet, por në tërrësi edhe për pozitën e shqiptarëve të Luginës së Preshevës dhe sferat e diskriminimit. Po besoj që në një bashkëpunim që do ta thellojmë edhe më tepër me zotin Basha dhe me të gjithë politikanët e tjerë në Tiranë, në Prishtinë të arrijmë të përballemi me këto sfida të cilat sot i kemi para nesh” – u shpreh Shaip Kamberi.

Basha në fjalën e tij falënderoi deputetin Kamberi për përkushtimin dhe kurajon që demonstron si përfaqësues i shqiptarëve në parlamentin serb. Ai tha se situata nuk paraqitet e mirë pasi Beogradi shpeshherë duket se ‘qimen e ndërron por zakonin nuk e harron’.

Pasivizimi i adresave, mos angazhimi në institucionet shtetërore, mungea e investimeve dhe legjislacioni për shërbimin e detyrueshëm ushtarak, janë disa nga shqetësimet që evidentoi Basha, ku tha se kanë si qëllim spastrimin etnik.

“Unë dua ta falënderojë zotin Kamberi për përkushtimin, kurajon dhe vizionin që demonstron si përfaqësues i shqiptarëve të Luginës së Preshevës në Kuvendin e Republikës së Serbisë. Ndonëse për fat të keq i vetëm, fatmirësisht është një zë që ushton fort për të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Situata nuk paraqitet e mirë. Për fat të keq, Beogradi shpeshherë duket se ‘qimen e ndërron por zakonin nuk e harron’. Në këtë kuadër vazhdimi i spastrimit të heshtur etnik me pasivizimit të adresave, përjashtimi në formë pothuajse të aparteitit të shqiptarëve nga administrata publike, mungesa e investimeve në infrastrukturën publike, shkurajimi i investimeve private ku në pjesë të tjera të Serbisë ato subvencionohen nga taksat e taksapaguesve. Por edhe lajmi i keq i përgatitjes së një legjislacioni për shërbimin e detyrueshëm ushtarak i cili faktikisht përjetohet nga shqiptarët e Luginës së Preshevës me të drejtë si një thirrje për t’u larguar nga trojet e tyre, janë dhe problemet kryesore që u ngritën gjatë bashkëbisedimit që patëm së bashku. Fjalët dhe veprat e Tiranës dhe Prishtinës duhet të përputhen me njëra-tjetrën. Mbështetja nuk duhet të mungojë në këtë kuadër. Jam njohur me iniciativa të ndryshme qoftë në rrafshin e investimeve të projekteve, por dhe të aktivitetit për të mbrojtur dhe për të promovuar interesat kombëtare, të drejtat e njeriut dhe të drejtat kombëtare të shqiptarëve të Preshevës nga përfaqësuesit e tyre politikë, nga deputeti i vetëm shqiptar në Kuvendin e Serbisë. Por dhe nga përfaqësuesit e tjerë, drejtuesit e komunave të Preshevës dhe Bujanocit dhe anëtarët e Kuvendeve përkatëse komunale. Këto përpjekje kanë nevojë për një mbështetje totale dhe të organizuar politike të Tiranës dhe të Prishtinës. Dhe kanë nevojë dhe për mbështetje të tjera, të natyrës logjistike dhe të infrastrukturës diplomatike dhe për këto kam shprehur angazhimin tim, jo thjeshtë për të ngritur zërin, por për të bërë gjithçka që Lugina e Preshevës si një zonë e cila historikisht është parë si pengesë për hegjemoninë dhe për politikat spastruese të Serbisë, të ketë të gjithë vëmendjen e duhur dhe të gjithë mbështetjen e duhur politike, buxhetore dhe të gjithëanshme. Edhe njëherë dua ta përgëzojë zotin Kamberi që në një situatë jashtëzakonisht të vështirë di të jetë përfaqësues i denjë dhe zëri i qytetarëve të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës. Dhe ta garantoj për përkushtimin dhe mbështetjen totale timen, të kolegëve të mi, sikundër shpresoj që së shpejti do të jetë dhe në Tiranë që të takohet dhe me kolegë të tjerë të Parlamentit të Shqipërisë, në mënyrë që Parlamenti i Shqipërisë dhe institucionet shqiptare të japin të gjithë mbështetjen e munguar ndër vite dhe të orjentojnë të gjithë energjitë dhe vëmendjen e duhur nga problemet e shumta, të pazgjidhura dhe për fat të keq të shtuara të shqiptarëve në Luginën e Preshevës” – tha Basha.

Arena e Lajmit

Basha takim me Shaip Kamberin: Lugina e Preshevës kërkon mbështetje urgjente nga Tirana dhe Prishtina

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook