Kreu i grupit parlamentar të PD, Gazment Bardhi, përmes një postimi në Facebook, ka kritikuar Kryeministrin Edi Rama pas vizitës së tij në Hungari, ku Rama tha se “Hungaria është model për ne”. Bardhi theksoi se modeli i Kryeministrit Orban nuk mund të jetë kurrë udhërrëfyes për Shqipërinë në procesin e integrimit europian.
Bardhi nënvizoi se, sipas grupit më të madh në Parlamentin Europian, EPP, modeli i Orbanit është karakterizuar nga kontrolli ndaj medias dhe kufizimi i lirisë së shprehjes, duke kontribuar në perceptimin e rritjes së korrupsionit. Ai argumentoi se Edi Rama është në fakt një shembull i këtij modeli, duke e cilësuar atë si “kampion” në këtë drejtim, jo vetëm në Europë, por edhe në botë.
Reagimi i plotë:
“Edi Rama ia thotë në sy Orbanit: Hungaria është model për ne”- ky ishte mesazhi kyç që mediat transmetuan dje nga vizita e Kryeministrit Rama në vendin mik.
E vërteta është që modeli i Kryeministrit Orban në Hungari nuk mund të jetë kurrë modeli ynë i rrugëtimit europian. Për grupin më të madh në Parlamentin Europian EPP modeli i Kryeministrit Orban është ai i kontrollit ndaj medias që ka cenuar lirinë e shprehjes dhe që ka sjell perceptimin për rritjen e korrupsionit. Në këtë drejtim, Edi Rama është kampion jo vetëm në Europë, por edhe në Botë. Prandaj edhe Edi Rama duket të jetë shembulli dhe modeli i Kryeministrit Orban dhe jo anasjelltas.
Duke mbështetur fuqimisht procesin e integrimit europian të Shqipërisë, ritheksoj se model i Shqipërisë në këtë proces nuk mund të jetë kurrë Hungaria, edhe pse një vend mik. Modele në këtë proces nuk duhet te jenë PROBLEMI, por ZGJIDHJA.
Ne në Shqipëri ka kohë që e kemi indentifikuar PROBLEMIN e procesit të integrimit dhe quhet EDI RAMA. ZGJIDHJEN e kanë shqiptarët e ndershëm në dorë: LARGIMI një orë e më pari të problemit (EDI RAMËS)!