Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën Opinion në News 24 komentoi ardhjen e emigrantëve të parë në Shqipëri, të cilët pritet që të strehohen në Shëngjin e në Gjadër.
Lubonja tha se procesi i mbërritjes së emigrantëve në Shqipëri do të ketë vështirësi. Ai shtoi se gjithashtu Shqipëria, mund të shndërrohet një vend “gogol” në sytë e emigrantëve.
Fatos Lubonja: Do të ketë vështirësi gjithë procesi. Plani i parë i vështirësive do jetë logjistik dhe financiar. Është shpenzim i madh, që nuk justifikon shpenzimet, do shpenzohen më tepër sesa të hapej kampi në Itali. Shqipëria dhe Italia gjithashtu do kenë pasoja në imazh, për këtë “burg”, që e krahasojnë me Guantanamon, në raport me të drejtat e njeriut. Shqipëria po luan rol parandalues, duke e bërë vendin tonë gogol, që emigrantët mos kenë dëshirë të vijnë këtu. Mediat e huaja zbuluan këtu “narko-shtetin”.
Dimë se italianët janë përgjegjës për pjesën e rrethuar të kampit, por se çfarë ndodh përtej kampit (nëse ka arratisje) e ka përgjegjësinë Shqipëria, e kjo mund të sjellë gjithashtu probleme. Rama tha se Italia e Shqipëria kanë shkuar gjithmonë mirë, por kjo nuk është e vërtetë gjithmonë. Italia ka parë interesat e veta në Shqipëri, mos harrojmë se kemi mbytjen e Katerit të Radës, është marrëdhënie komplekse. Dimë se Meloni do që të pakësojë emigracionin në Europë. Rama bëhet i majtë, i djathtë, lart, poshtë, siç ia do interesi.
(Arena e Lajmit)