Aktivisti për mbrojtjen e të drejtave të njeriut Altin Hazizaj në një lidhje me skype me emisionin “Open” në News24 duke komentuar ardhjen e emigrantëve të parë në Shëngjin tha se hapja e kampit, përtej logjikës dhe respektimit të të drejtave të njeriut, ka një mendjelehtësi nga autoritetet shqiptare.
Hazizaj tha se kjo çështjes është trajtuar si një kthim borxhi ndaj Italisë, që shkon në atë vazhdën e kolonializmit jo vetëm italian, por europian, që vende si Shqipëria i trajtojnë si vende të Botës së 3-të.
Në këtë kuadër Hazizaj tha se po trajtohemi si një vend që do përdoret për të dekurajuar këta emigrantë.
“Ky nuk është një model italian, është një model i shpikur dhe testuar nga Australia, që i mban emigrantët për vite të tëra në kampet ku i strehon”, tha Hazizaj.
Ai tha se pavarësisht se kush e menaxhon territorin brenda për brenda, Shqipëria ka po aq përgjegjësi sa pala italiane. “Të dy vendet duhet të plotësojnë të gjitha standardet dhe ti respektojnë sa i takon të drejtave të njeriut”, tha aktivisti.