Shokuese/ Nxënësi i tij: E rrahën në mënyrë ç’njerëzore, e qëllonin me gur. Jeta e Hafiz Ibrahim Dalliut

Në emisionin Autokton të autores Anila Ahmataj u trajtua këtë të diel figura dhe veprimtaria e “Hafiz Ibrahim Dalliut”. Nga kthimi i tij në atdhe e deri te burgosja e torturat ç’njerëzore…

Shkrimi bazuar mbi librin “Hafiz Ibrahim Dalliu”  me autor Xhemal Balla..

Hafiz Ibrahim Dalliu lindi në Tiranë më 1878 në një familje me tradita fetare, të etur për dije e kulturë. I ati i Hafiz Dalliut, Hafiz Mustafai u kujdes në mënyrë të veçantë për edukimin e fëmijëve të tij. I ati, Mustafai dhe dy vëllezërit, Hysniu dhe Aliu kanë qenë  klerikë të njohur me tituj “Haxhi” dhe “Hafiz”Që i vogël dallohej për një zgjuarsi natyrale e vullnet për të mësuar qysh në shkollën fillore. Mbasi mbaron me rezultate të mira vazhdon shkollën e mesme Ruzhdije. Këtu dallohet prirja e tij për letërsinë e gjuhën shqipe, për poezinë e prozën, që u bënë bazat për aktivitetin e mëvonshëm të tij si publicist  letrar. Ai u shqua që në këtë moshë edhe për formim shkencor, gjë që e ndihmoi të interpretojë nga ana shkencore ajetet kur’anore.

Largimi nga atdheu për studime të larta në Stamboll shkaktoi dhimbje dhe mall tek ai për vendin dhe familjen e tij. Kjo dashuri dhe ky mall do të ishin për të motivi frymëzues, që e rriti për t’u brumosur me një kulturë të gjerë, për t’i shërbyer atdheut dhe fesë me të gjitha forcat dhe aftësitë e tij.

kur Hafiz Dalliu ishte me studime në Stamboll, Perandoria Osmane po përjetonte një krizë të paparë në të gjitha aspektet e saj si politike, ushtarake, ekonomike ashtu dhe kulturore e fetare. Lëvizja për çlirim kombëtar pësoi një farë rënie si rezultat i masave të rrepta që mori reaksioni i sulltan Abdul Hamitit për të shtypur çdo ide të lëvizjes kombëtare shqiptare dhe sidomos idetë e lëvizjes shqiptare të themeluar në Prizren. Nga ana tjetër dhe fuqitë e mëdha luanin në prapaskenë në kurriz të popullit shqiptar dhe shikonin me dyshim çdo lëvizje kombëtare që ndodhte në Ballkan. Në këto rrethana, patriotët shqiptarë si brenda dhe jashtë vendit, nuk e ndërprenë për asnjë rast punën e tyre në shërbim të lëvizjes kombëtare, për riorganizimin e saj, duke e orientuar kryesisht në ngjalljen e traditave të shquara luftarake të popullit tonë, në ngritjen e shkollave shqipe, në zgjimin e formimin e ndërgjegjes kombëtare, për t’u përgatitur për betejat e ardhshme. Lëvizja e rilindësve e nisur që nga Stambolli, nxiti lëvizjen kombëtare në Shqipëri për të mos u pajtuar me gjendjen e rënduar që kishte krijuar qeveria turke, e cila vetëm kishte vjelë taksa, por nuk kishte investuar gjë në dobi të shqiptarëve.

Ai u formua si   teolog   duke marrë edhe titullin e lartë ‘Hafiz’ i Kuranit. Ai mësoi  mirë gjuhët turqisht, arabisht dhe persisht. Nën shoqërinë e vëllait më të madh, Hysniut, që studionte në Stamboll, Hafizi u njoh me rilindësit dhe veprat e tyre, të cilët punonin pa u lodhur për zgjimin e vetëdijes kombëtare të popullit shqiptar. Ata nuk reshtnin duke u derguar memorandume mesazhe e letra dërguar fuqive të mëdha të Evropës, për të mbrojtur gjuhën amtare, të drejtën për arsimim në gjuhën shqipe si dhe për liri e pavarësi.

U kthye në atdhe në vitin 1901. Këtu ai iu përvesh menjëherë punës për të vënë në jetë ato ide të lëvizjes në drejtim të zgjimit kombëtar dhe mësimit të gjuhës shqipe. Ai fitoi respekt dhe dashuri tek patriotët tiranas dhe u përfshi në grupin e intelektualëve duke u bërë edhe mësuesi i parë i shkollës së vajzave me Filip Pashikun, duke qenë me veshjen e klerikut. Në këtë shkollë filloi në vitin 1902-1903 dhe nga presioni i jashtëm e ndërpreu punën për t’u rikthyer përsëri në vitin 1908.

Në punën e tij si mësues i vajzave pati reagime fanatikësh, por guximi i prindërve dhe i 86 vajzave bëri që të dalin edhe mësueset e para: Servete Maçi, Sabrie Haxhi Mehmeti dhe Atlije Mytesim Këlliçi.

Në vitin 1902 e gjejmë bashkëpunëtor me Filip Ashikun në hapjen e shkollave shqipe në Tiranë duke vazhduar deri në fund të vitit 1903, kur këto shkolla u mbyllën; edhe se u mbyllën shkollat legale, Hafizi vazhdoi të njëjtin aktivitet në mënyrë ilegale duke drejtuar kurse të gjuhës shqipe në familjet e qytetarëve tiranas si kurset në familjen e Murat Toptanit për ta rifilluar përsëri këtë aktivitet në mënyrë legale në vitin 1908.

Në vitin 1908 së bashku me patriotët Refik Toptani, Mahmut Fortuzi, Hysni Dalliu e shumë të tjerë themeloi në Tiranë klubin patriotik “Bashkimi”, si mjet për të realizuar dhe mbrojtur të drejtat kombëtare. Ky Klub ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në përhapjen dhe fuqizimin e lëvizjes patriotike për pavarësi kombëtare dhe në luftën për përhapjen e shkollave dhe mësimin e gjuhës shqipe. Klubi “Bashkimi” u hap nën patronazhin e Klubit të Manastirit dhe kishte një aktivitet shumë të gjerë. Lidhur me veprimtarinë e Klubit “Bashkimi” dhe ndikimin që kjo veprimtari pati në ngjarjet patriotike të asaj periudhe….

Hafiz Dalliu më vonë do të shkruante: “Që prej asaj kohe është mbjellë fara e urueshme e shqiptarizmës në Tiranë dhe ka zënë rrënjë në zemrat e tiranasve”.

Hafizi ishte shumë aktiv në përgatitjen e Kongresit të Manastirit dhe zbatimin e vendimeve te tij. Ai ka theksuar në shkrimet e tij rëndësinë e këtij Kongresi në historinë e kombit tonë në luftën për mbrojtjen dhe zhvillimin e gjuhës amtare duke e quajtur atë “Kongresi i alfabetit”.

Në frymën e Kongresit të Manastirit dhe për zbatimin e vendimeve të tij, u mendua të mblidhej një kongres kombëtar për të diskutuar mbi zhvillimin dhe përhapjen e mësimit të gjuhës shqipe. Për këtë arsye në datat 2-9 shtator 1909 zhvilloi punimet Kongresi i Elbasanit në të cilin morën pjesë 35 delegatë si përfaqësues të gjithë shoqatave patriotike shqiptare brenda ose jashtë vendit. Këtu mori pjesë edhe një delegacion nga qyteti i Tiranës që kryesohej nga Refik Toptani, në të cilin merrte pjesë edhe Hafiz Dalliu. Kongresi, në zbatim të vendimeve të Kongresit të Manastirit, aprovoi alfabetin latin të gjuhës shqipe dhe vendosi hapjen e shkollës Normale në Elbasan për përgatitjen e kuadrove mësues që do të shërbenin për mësimin e gjuhës në gjithë trevat e banuara nga shqiptarët.

Në vitin 1920 është anëtar i delegacionit të trevës së Tiranës në Kongresin e Lushnjes dhe pas kthimit në Tiranë është një nga veprimtarët më aktivë në zbatim të vendimeve të Kongresit. Gjatë gjithë periudhës, deri në vitin 1924 është aktiv në ngjarjet politike të kohës.

Gjatë periudhës së sundimit të Mbretit Zog është marrë kryesisht me studime në fushën e fesë islame duke bërë komente, duke përkthyer, zbërthyer e interpretuar libra të shenjtë si Kur’ani si dhe vepra të personaliteteve të shquara islame. Po ashtu ka bërë edhe studime në fushën e islamit që përbëjnë kontribut të tij personal në këtë fushë.

Pas lufte e gjejmë anëtar të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë për aftësitë dhe kontributin e tij në fushën e letërsisë, por ai nuk mund të vazhdonte gjatë në këtë mënyrë. Personaliteti i tij që karakterizohej nga liria e mendimit dhe veprimit nuk mund të duronte kornizat ideologjike ku e futi artin dhe letërsinë diktatura komuniste. Iu kundërvu këtyre rregullave dhe për këtë përfundoi në burg ku edhe u sëmur rëndë dhe u nda nga jeta në vitin 1952, në moshën 74 vjeçare.

(Arena e Lajmit)

Arena e Lajmit

Shokuese/ Nxënësi i tij: E rrahën në mënyrë ç’njerëzore, e qëllonin me gur. Jeta e Hafiz Ibrahim Dalliut

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook