Tedi Blushi, Sekretar i Përgjithshëm i PL-së, e konsideroi një akt të pashembullt terrorist, arrestimin e Presidentit të kësaj partie, Ilir Meta.
Blushi tha se ky akt u ndërmorr me urdhër të kreut të SPAK, që e krahasoi me Bin Ladenin.
“Këta kriminele dhe banditë e kanë personale me të gjithë shqiptarët, këtë akt terrorist të dhunshëm që ndërmorën ndaj ish-Presidentit Ilir Meta, duke kënaqur egon e kryekriminelit Edi Kristaq Rama”, tha Blushi.
Ai u shpreh se akti i sotshëm është një shpallje lufte ndaj opozitës, e cila nga dita e sotme i ka dy nga drejtuesit e saj të arrestuar politikisht. Blushi tha se tejkalimi i çdo vije të kuqe do të marrë përgjigjen e popullit opozitar dhe shqiptarëve të ndërshëm nga të 4 anët e Botës.
Blushi tha se kur një ish-Presidenti Republike, që mbrohet edhe nga Garda e Republikës, që çuditërisht nuk ndodhej atje në momentin e arrestimit, i ndodh një akt i tillë terrorist, merreni me mend se çfarë mund t’i ndodhë shqiptarëve të thjeshtë.
Ai tha se ky ishte një proces i inskenuar nga Edi Rama dhe i zbatuar nga xhelati i tij në SPAK.