Ardon Jashari, futbollisti me origjinë shqiptare po luan sezonin e parë në Belgjikë me Clube Brugge. Jashari me shokë do të sfidojnë Milanin në “San Siro”, në takimin që do luhet të martën me fillim nga ora 18.45. Në një intervistë të dhënë së fundmi, futbollisti që përfaqëson Zvicrën, u shpreh se është mjaft i emocionuar para kësaj ndeshje.
Nesër në “San Siro”?
Është një ëndërr e realizuar për mua. Të gjithë ëndërrojnë të luajnë këtu, kundër një ekipi të madh si Milani. Do të jemi gati për nesër. Shpresoj që nesër të kem një mundësi për të treguar cilësitë e mia.
Si ndiheni për këtë sfidë?
Kemi luajtur ndeshje të shkëlqyer kundër Borussia Dortmund, me shumë mundësi për të fituar ndeshjen, por më pas rezultati nuk ishte pozitiv. Ne treguam cilësitë tona të mëdha. Për nesër mendoj pozitivisht.
Shoku juaj te Zvicra, Okafor?
Ai është një lojtar i mirë, kam luajtur me të në Zvicër dhe jam shumë i lumtur që ai luan për një ekip të madh.
Ndonjë lojtar i Milanit që ju pëlqen?
Milani është një ekip me lojtarë shumë të mirë dhe të fortë. Por, nesër do të mendojmë vetëm për veten tonë.