Deputetë të Partisë Demokratike ndodhen në Strasburg, atje ku nesër pritet të protestojnë para Parlamentit Europian, lidhur me situatën në Shqipëri.
Gazetari i News24, Osman Stafa, duke raportuar nga Strasburgu tha se kjo është protesta e parë e këtij lloji e organizuar nga deputetë të PD-së para selisë së Parlamentit Europian.
Duke zbuluar detaje, Stafa tha se përmes kësaj proteste do të synohet ndërgjegjësimi i komunitetit ndërkombëtar për ngjarjet në Shqipëri.
Bazuar te informacionet për mënyrën se si do të zhvillohej protesta, gazetari i News24 tha se grupi i deputetëve të PD-së do të ndahet në dy pjesë: njëri do të zhvillojë takimet me europarlamentarët dhe tjetri do të protestojë para godinës së PE-së.
Ende nuk dihet nëse protestës së deputetëve demokratë do t’i bashkohen edhe shqiptarë që jetojnë jashtë vendit, apo nëse ligjvënësit e PD kanë zgjedhur modelin e një proteste “simbolike” me synim ndërgjegjësimin e kolegëve të tyre europarlamentarë.
Qeveria teknike, si garante e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është përcaktuar si kusht nga opozita për zhvillimin e zgjedhjeve të vitit të ardhshëm. Madje pikërisht realizimi i kësaj kërkese që artikulohet prej muajsh është arsyeja kryesore që ka çuar opozitën në “mosbindje civile”.
E gjithashtu me europarlamentarët, deputetët e PD pritet të denoncojnë atë që e konsiderojnë si lidhjet e krimit të organizuar me Qeverinë, referuar këtu edhe zbulimit herë pas here të bisedave në platformën “Sky Eç” tashmë e dekriptuar, burgosjen e Ervin Salianjit, ish-deputet i PD-së, por edhe arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta, ngjarje e ndodhur një ditë më parë.