Deputetët e Partisë Demokratike kanë zhvilluar një sërë takimesh gjatë ditës së sotme me eurodeputetët e Parlamentit Europian, me PPE, si dhe me Komisionerin e Zgjerimit, Oliver Varhelyi.
Në postimin e tij në Facebook, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se Varhelyi është informuar se Shqipëria e ka jetike të rikthehet në shinat e shtetit ligjore dhe demokratik.
“Në Parlamentin Europian, ishte për raportim edhe Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Olivér Várhelyi, të cilin patëm mundësi ta informojmë shkurtimisht për arsyet e vizitës tonë në PE dhe situatën politike në Shqipëri.
Duke mbështetur plotësisht procesin e integrimit dhe duke e falënderuar për gjithë punën që ka bërë që procesi të shkojë përpara, pavarësisht se për shkak të keqqeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria është larguar edhe më shumë nga vlerat europiane në qeverisje, bashkëndamë mendimin se integrimi europian është aspiratë e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë dhe duhet të vazhdojë pavarësisht pengesave.
Shqipëria e ka jetike që të rikthehet në shinat e shtetit ligjor dhe demokratik, që nuk përndjek e burgos opozitën, që lufton korrupsionin dhe krimin e organizuar, dhe ku qeverisja nuk diktohet nga krimi i organizuar. Vetëm kështu e ardhmja europiane është e sigurtë dhe e shpejtë”, shkroi Bardhi.