Analisti Fatos Lubonja në emisionin “Open” në News24 tha se SPAK po godet personat dhe jo sistemin. Duke komentuar arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta, Lubonja tha se çështja e rëndësishme është nëse SPAK kontrollohet ose jo nga Kryeministri Edi Rama.
Lubonja tha se goditja që u bë ka lidhje me eliminimin e opozitës, dobësimin e saj jo vetëm për zgjedhjet e 2025, por edhe në 2029.
“Është një instrument i bandës së mazhorancës. Shikoni dosjen, flitet për korrupsionin e Ilir Metës, por nuk hetohen personat e tjerë që përfshihen në dosje”, tha Lubonja.
Ndërsa analisti Fitim Zekthi, duke ndarë një tjetër qëndrim lidhur me SPAK, tha se ai po lëvizjet më të forta për të goditur korrupsionin. Zekthi tha se nuk beson se Edi Rama kontrollon SPAK. “Nuk mund të jetë SPAK një bandë që e kontrollon Rama, përsa kohë kemi SHBA dhe BE që e mbështesin. Unë nuk e di që SHBA të mbështesin një bandë në një vend anëtar të NATO-s”, tha Zekthi.
Ai tha se po të shikoni, SHBA dhe institucionet amerikane dhe europiane mbështesin SPAK. “Shikoni qëndrimet e DASH-it, keni deklaratat e Antony Blinken, keni reagime në mbështetje të SPAK, të drejtësisë së re”, tha Zekthi.
Por analisti Lubonja tha se “çështë kjo që flitet për autoritet amerikan, kërkoni të na mbyllni gojën. Ca është kjo që përmend edhe Blinken”. “Ke ca argumente që janë bërë bozë”, tha Lubonja.
Por Lubonja u shpreh se “shikoni Erdoganin, vend anëtar i NATO-s, a e mbështet SHBA? Diktator është. Ja po mbështesin Netanyahun”.
“SHBA po bën krime vetë”, tha Lubonja, ndërsa Zekthi iu përgjigj “o Fatos të ka hyrë tartakuti”.
“Tartakuti të ka hyrë ty nga Amerika”, tha Lubonja.