Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka ndarë pamjet nga aerodromi i Gjirokastrës, që tashmë është në funksion të fluturimeve sportive turistike direkte nga Italia.
“Një ngjarje historike për aerodromin e Gjirokastrës në të cilin për herë të parë u kryen gjashtë fluturime direkte nga Italia, duke reduktuar kostot, kohën dhe duke e bërë Gjiron një destinacion ekskluziv për fluturimet sportive e turistike”, thuhet në postimin e Kumbaros në rrjetet sociale.
Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës. Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues dhe tregtar që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.