Zbardhen propozimet e Partisë Demokratike, për rezolutën e Komitetit të përbashkët me Parlamentin Euopian.
Deputetët e PD-së: Mazhoranca të heqë dorë nga përdorimi politik mbi drejtësinë, të shkëputen lidhjet e politikës me krimin e organizuar dhe të zbatohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Duhet Reformë Zgjedhore gjithpërfshirëse bazuar mbi rekomandimet e OSBE-ODIHR.
Të martën në Tiranë do të zhvillohet mbledhja e komitetit të përbashkët mes Parlamentit Europian dhe Shqipërisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizm Asociimit. Mësohet se Partia Demokratike, e ka kritikuar fort draft rezolutën duke bërë edhe propozime konkrete që i përgjigjen situatës që po kalon Shqipëria.
Deputetët e Partisë Demokratike, në krye të herës garantojnë angazhim të pakushtëzuar në mbështetje të proceseve integruese të vendit tonë, ndërsa kanë dhënë propozime konkrete.
Burimet theksojnë se opozita në propozimet e saj është ndalur fort tek respektimi i shtetit ligjor dhe mospërdorimit politik të drejtësisë. Mosrespektimi i Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese nga ana e mazhorancës duke ju referuar rastit “Xhaçka” por edhe ligjeve të tjera të rrëzuara nga kushtetuesja por që shumica parlamentare nuk reflekton ndryshimet, është një tjetër çështje e përfshirë në propozimet e deputetëve të PD. Sipas demokratëve këto qëndrime të socialistëve dëmtojnë rëndë parimet kushtetuese dhe demokratike, të balancës mes pushteteve.
Opozita ngre shqetësim të madh për lidhjen mes politikës dhe krimit të organizuar, që përdoret si mekanizëm në zgjedhje, siç treguan edhe përgjimet e fundit të SKY/ECC për listën e Durrësit, si dhe mungesën e vullnetit politik për miratimin e një Kodi Zgjedhor konsensual dhe që përputhet me rekomandimet e OSBE-ODIHR, siç parashikohet në planin e negociatave. Deputetët demokrat i bëjnë thirrje mazhorancës që të adresojë me prioritet çështje kritike si keqpërdorimi i buxhetit të shtetit për të favorizuar partinë në pushtet, shfrytëzimi i resurseve shtetërore për të cënuar zgjedhjen e lirë të votuesve dhe përdorimi i të dhënave personale të qytetarëve përmes sistemit të patronazhit gjatë zgjedhjeve. Këto praktika, thuhet në rezolutë, dëmtojnë besimin e publikut dhe minojnë integritetin e procesit demokratik në Shqipëri
Në rezolutë, opozita shpreh shqetësim të thellë për Komisionin Parlamentar të Posaçëm për “Fuqizimin e Reformave për Qeverisje të Mirë, Sundim të Ligjit dhe Antikorrupsion për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian,” i cili, sipas saj, u krijua në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensus të gjerë politik. Sipas opozitës integrimi nuk mund të jetë proces përjashtues, por një proces gjithpërfshirës ku opozita duhet të ketë një rol themelor. E ky moment thekesojnë ata nuk mund të përdoret për përfitime personale të zyrtarëve të mazhorancës.
Po ashtu, opozita dënon kalimin e ligjeve nga qeveria që cenojnë mbrojtjen e trashëgimisë natyrore dhe kulturore të vendit, duke paralajmëruar për dëme të pariparueshme në ekosisteme të rëndësishme dhe monumente historike. Sipas saj, veprime të tilla rrezikojnë qëndrueshmërinë mjedisore dhe trashëgiminë kulturore për gjeneratat e ardhshme.
Në përfundim, opozita bën thirrje për një dialog të mirëfilltë politik që të nxisë stabilitet dhe progres, duke kërkuar nga të gjitha palët politike që të shmangin përdorimin e mekanizmave shtetërorë për qëllime politike dhe të respektojnë plotësisht rolin e opozitës dhe të deputetëve të saj.