Mesfushori i skuadrës austriake SCR Altach, Vesel Demaku ka vendosur të luajë për Kosovën. Ish-lojtari i Përfaqësueses U21 të Austrisë, të hënën, ka qëndruar në selinë e FFK-së, ku është takuar me presidentin Agim Ademi, drejtorin Muharrem Sahiti dhe menaxherin, Bajram Shala.
Me këtë rast, Demaku ka theksuar se menjëherë pasi ka marrë konfirmimin nga shteti austriak për dyshtetësi, pa hezitim e me zemër, ka vendosur që të luajë për Kosovën dhe të japë kontributin e tij në fanellën dardane. Presidenti Ademi e vlerësoi vendimin e Demakut dhe e përgëzoi për përkushtimin e tij për t’i kontribuar atdheut. Ai tha se lojtar me potencial si Vesel Demaku janë gjithmonë të mirëseardhur në Kombëtaren e Kosovës. Demaku gjatë këtij edicioni ka zhvilluar 10 ndeshje në Bundesligën e Austrisë dhe ka lënë gjurmë me lojën e tij në fushën e blertë dhe pa dyshim do të jetë një vlerë shtesë për Kosovën.
(J.S/)