Opozita ka nisur mosbindjen civile, e dyta radhazi pas asaj të 7 tetorit. Opozita paralajmëroi bllokimin e gjashtë segmenteve kryesore të lëvizjes së automjeteve në Shqipëri, duke nisur nga ora 17.00, si pjesë e strategjisë së saj. Deputetët e PD-së u shpërndanë në 6 akse kryesore dhe është parashikuar të paralizohet qarkullimi për tre orë. Çdo segment do të ketë në krye degët e PD në rrethe si dhe deputetët e qarkut. Afati i bllokimit po kështu mësohet të jetë nga ora 17:00-20:00.
Ora 17.29 Rrethrrotullimi i Shkozetit, protestuesit i vënë flakën gomave (FOTO)
Në rrethrrotullimin e Shkozetit, një nga 6 pikat ku po protestohet, mbështetës të opozitës, i kanë vënë zjarrin disa gomave.
Ora 17.20 Noka nga Sheshi Shqiponja: Jemi në mosbindje civile, vijojmë me akte të tjera
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka ka folur nga ish-sheshi Shqiponja për mosbindjen civile që po zhvillon opozita. Noka tha se Partia Demokratike do ta vazhdojë betejën e saj. Sipas Nokës, PD është në mosbindje civile, duke shtuar se do të vazhdohet me akte të tjera.
Ora 17.16 Flamur Noka “parkon” automjetin në mes të rrugës
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka mbërriti te ish-sheshi Shqiponja, aty ku protestuesit e opozitës bllokuan rrugën. Noka fiku automjetin e tij në mes të rrugës duke iu bashkuar mosbindjes civile.
Ora 17.15 Paralizohet qarkullimi te rrethrrotullimi i Bradasheshit
Rrethrrotullimi i Bradasheshit është bllokuar nga protestuesit e opozitës. Në këtë momente, raporton gazetari i News24, Fatmir Popja nuk lejohet qarkullimi i asnjë automjeti në drejtim Tiranës apo dhe Elbasanit. Sikurse nuk ka lëvizje as në drejtim të Peqinit, Rrogozhinës apo Belshit.
Ora 17.12 Protestuesit ulen këmbëkryq në rrugë, bllokohet aksi Thumanë-Milot
Është bllokuar edhe rrethrrotullimi i Milotit në të dy korsitë e rrugës. Disa qytetarë janë ulur këmbëkryq në asfalt duke bllokuar aksin, kurse një tjetër u pa teksa varej në një prej kamionëve të transportit, duke e penguar të vijonte më tej. Në këtë rrethrrotullim janë caktuar deputetët; Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Likaj, Greta Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti dhe Kastriot Piroli.
Ora 17.10 Protestuesit i hapin rrugën 2 autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës
Edhe pse rruga ishte bllokuar, protestuesit e opozitës kanë lejuar qarkullimin e dy autoambulancave te Mbikalimi i Kamzës.
Ora 17.05 Policia devijon trafikun te Mbikalimi i Kamzës
Pas bllokimit të aksit kryesor Tiranë-Durrës nga protestuesit e opozitës, policia ka devijuar qarkullimin e makinave. Drejtuesve të automjeteve iu është kërkuar nga policia të ndjekin itinerarin Tiranë-Kashar nga rruga e vjetër, paralelisht me autostradën Tiranë-Durrës.
Ora 17.00 Nis mosbindja civile, rrugët që u bllokuan
Mbikalimi i Kamzës
Rrethrrotullimi Shkozet
Rrethrrotullimi Bradashesh
Rrethrrotullimi Rrogozhinë
Rrethrrotullimi Levan
Rrethrrotullimi Milot
Ora 16.40 Ndarja e deputetëve te rrugët që do bllokohen
Te Sheshi Shqiponja, do të jenë të pranishme degët e Tiranës dhe qarkut Dibër që do të bllokojnë hyrje-daljet në këtë rrugë dhe lëvizjen e automjeteve. Deputetët që do të jenë në këtë pikë janë Flamur Noka, Albana Vokshi, Xhelal Mziu, Petrit Doda, Asllan Dogjani, Helidon Bushati, Kreshnik Çollaku, Dhurata Çupi dhe aleatët të cilët do të jenë bashkë me qytetarët.
Pika e dytë do të jetë rrethrrotullimi Milot, ku do të vendosen deputetët e qarkut Kukës, Shkodër dhe Lezhë, përkatësisht deputetët Flamur Hoxha, Isuf Çela, Emilja Koliqi, Ramadan Lika, Greda Bardeli, Ludovik Hasanaj, Lindita Metaliaj, Elda Hoti, Kastriot Piroli.
Lajmi në përditësim…
()