“Vendi ynë nën korrupsion sistematik”, shqetësimi i Tabakut: Shqipëria ka 2.6% të PBB të saj nga paratë e pista

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, në fjalimin e saj në Komisionin e Përbashkët të Stabilizim Asociimit theksoi mungesën e vullnetit politik të qeverisë për të luftuar korrupsionin dhe lidhjet e thella mes pushtetit, krimit të organizuar dhe pastrimit të parave. Ajo kritikoi ashpër triumfalizmin e qeverisë për procesin e integrimit europian, duke e cilësuar si një mungesë arritjesh reale për 12 vite.

Tabaku deklaroi se “ Raport pas raporti, tregues pas treguesi, korrupsioni është kthyer në gangrenën kryesore të vendit, arsyeja përse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin politik dhe arsyeja pse 40% e forcës aktive të punës janë larguar nga vendi ”. Ajo vuri në dukje se korrupsioni sistemik ka arritur nivele alarmante dhe ka kapur gjithçka, nga institucionet publike deri tek procesi legjislativ, duke e kthyer Shqipërinë në një shtet të kapur nga interesat e ngushta të pak individëve.

“ Korrupsioni i lartë dhe lidhja me krimin e organizuar janë pengesat kryesore në procesin e integrimit. Me keqardhje mund t’ju them se kjo është përkeqësuar ndër vite, sepse korrupsioni është ngritur në sistem dhe thirrjet e vazhdueshme të opozitës për ta shpallur luftën ndaj tij si një prioritet kombëtar nuk janë dëgjuar ”, deklaroi Tabaku.

Tabaku nënvizoi se pastrimi i parave në Shqipëri është një problem madhor që ka arritur nivele të papranueshme. “ Rreth 2.16% e PBB-së së vendit përbëhet nga para të pista që futen në ekonominë shqiptare. Ky është një realitet i hidhur, ku numërohen mbi 859 mijë transaksione korruptive të lidhura me pastrimin e parave. Këto janë shifra alarmante që tregojnë mungesën e plotë të vullnetit për të luftuar fenomenin nga ana e qeverisë. ”

Deputetja e PD gjithashtu kritikoi në mënyrë të ashpër qeverinë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe favorizimin e sektorëve të caktuar me ligje të posaçme, duke përmendur projektet problematike si aeroporti i Vlorës, porti i Durrësit dhe Teatri Kombëtar, të cilat, sipas saj, shkelin rregullat e konkurrencës dhe MSA-në. “ Janë dhjetëra milionë euro që humbasin për shkak të korrupsionit dhe kontratave të manipuluara në interes të individëve të lidhur me pushtetin. Ky është një krim kundër qytetarëve shqiptarë, të cilët vuajnë çdo ditë pasojat e këtyre vendimeve. ”

“ Korrupsioni nuk luftohet vetëm për të kënaqur standardet e BE-së, por mbi të gjitha për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Ne nuk kemi luksin të humbasim më shumë kohë. Koha për të vepruar është tani ”, përfundoi Tabaku, duke i bërë thirrje qeverisë dhe komunitetit nderkombëtar për një luftë të sinqertë dhe pa kompromis ndaj korrupsionit dhe kapjes së shtetit.

Në fund Tabaku shtroi pyetjen ” BIe dakord që Shqipëria është Europë. Por, detyra jonë është ta kthejmë në një demokraci perëndimore ”

Fjala e plote e deputetes e PD, Jorida Tabaku

Së pari më lejoni t’i uroj suksese këtij komisioni të përbashkët dhe Kryetarit të ri Z. Tarquinio dhe anëtarëve të delegacionit. Më vjen keq që jo gjithmonë nuk ndaj entuziazmin e qeverisë në lidhje me të dhënat që ato prezantojnë. Natyrisht, është e vërtetë që  ka një lajm të mirë në hapjen e grupkapitujve të parë dhe është një lajm i mirë për Shqipërinë dhe shqiptarët.  por për qeverinë është thjesht një mungesë e hapjes së negociatave për një periudhë 12 vjeçare.  Pasi shqiptarët kanë pritur që kjo të ndodhte që në vitin 2013.  Kështu që nuk mendoj se ka venda s për festë, triumfalizëm apo shampanjë por duhet punë.

Më lejoni t’ju them se mendoj si ju që ka shumë vend për të ndërtuar dhe reformuar në vendin tonë.  Ne të gjithë e dim që Shqipëria ka një mundësi të jashtëzakonshme dhe gjithashtu një potencial të jashtëzakonshëm.  Për tu afruar më shumë me standaretet europiane, me me llogaridhënien, sundimin e ligjit. Por mungesa e vullnetit politik ka qenë shpeshherë arsyeja përse procesi ka dështuar dhe nuk ka avancuar.

Sikundër ndjej keqardhje që edhe pjestarë te delegacionit tuaj janë bërë pjesë e një klime politike të papërshtatshme që ekziston këtu. Ju vetë keni përjetuar një protestë dhe jeni ndjerë, pak a shumë, siç ne jemi ndjerë në sulmet verbale që pësojmë dhe jo vetëm.

Më lejoni të them që si kryetare e Komisionit të Çështjeve Europiane dhe si përfaqësuese e opozitës, asnjëherë nuk ndjej kënaqësi kur emri i Shqipërisë përmendet në raportet ndërkombëtare për korrupsionin. Unë e kam të qartë, shqiptarët e kanë të qartë të qartë që bëhet fjalë për korrupsion qeveritar, ku korrupsioni i lartë është fakt për 80% të shqiptarëve.

Raport pas raporti, tregues pas treguesi, korrupsioni është kthyer në gangrenën kryesore të vendit, arsyeja se pse shqiptarët nuk kanë besim në sistemin politik dhe arsyeja pse 40% e forcës aktive të punës janë larguar. Korrupsioni, lidhja me krimin e organizuar dhe me pastrimin e parave kanë qenë dhe janë pengesat kryesore në procesin e integrimit. Më vjen keq t’ju them se kjo është përkeqësuar ndër vite, se është ngritur në sistem dhe thirrjet e vazhdueshme të opozitës për ta shpallur luftën ndaj korrupsionit si një prioritet kombëtar nuk janë dëgjuar.

Dy janë shkaqet kryesore të korrupsionit: shkaku i parë është i brendshëm dhe shkaku i dytë është i jashtëm. E para, mungesa e vullnetit politik që përshkallëzohet, ku jo rastësisht mbi 50 zyrtarë të lartë janë akuzuar dhe aktualisht po hetohen për korrupsion që buron drejtpërdrejt nga zyrat e qeverisë. Akuza që janë të vlefshme dyfish pasi kur kanë dalë nga opozita të faktuara dhe të provuara, janë trajtuar pandershmërisht nga një shumicë që fatkeqësisht i ka vendosur atyre gjoksin e mbrojtjes dhe llumin ndaj atyre që i kanë drejtuar gishtin. Strukturat e dobëta të institucioneve, mungesa e transparencës dhe një kulturë politike që lejon abuzimin me pushtetin, kanë kthyer Shqipërinë në një shtet të kapur, ku abuzimi me detyrën është kthyer në një gradim politik me kosto të larta për vendin.

Ndërsa shkaqet e jashtme lidhen me ndikimin negativ të faktorëve globalë si dhe mungesën e monitorimit dhe presionit të vazhdueshëm nga komuniteti ndërkombëtar. Kjo krijon një situatë ku korrupsioni jo vetëm që tolerohet, por shpeshherë mbrohet nga sistemi.

Korrupsioni sistemik, thotë DASH, ndikon në mënyrë shumë të drejtpërdrejtë në strukturat e qeverisjes, duke krijuar varësi të ngushta midis politikës, biznesit dhe grupeve të interesit. Kjo formë e korrupsionit përbën një kërcënim të madh për sundimin e ligjit dhe demokracinë, pasi përqendron pushtetin dhe burimet në duart e pak individëve, duke penguar konkurrencën e ndershme dhe qeverisjen e mirë.

Ky korrupsion endemik sot vihet re në çdo institucion, duke kryesuar kadastra, e kulmon me ligjbërjen me porosi ku shkëlqen qeveria. Dhënia e favoreve fiskale, ligje që shpërndajnë prona publike dhe pasuri publike, ligje që mbështesin sektorë të veçantë sot tregojnë plagën e vërtetë të korrupsionit. Dhe kjo ndodh dhe në shkelje të MSA-së dhe në shkelje të konkurrencës, ku dua të përmend aeroportin e Vlorës, portin e Durrësit, Teatrin Kombëtar, etj.

Kjo influencë negative e korrupsionit që ka çuar deri në kapjen e shtetit ka mundësuar krijimin e deficiteve të tilla që prodhojnë mungesë integriteti dhe pavarësie ekonomike, duke dobësuar pafundësisht zinxhirin e kontrollit burokratik dhe duke prodhuar ligje inefektive që nuk kanë asnjë efekt real në luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave apo financimit gjatë fushatave.

Në raportet ndërkombëtare dhe ato të Departamentit Amerikan të Shtetit dhe të Bashkimit Europian, evidentohen sfidat e mëdha për të arritur përmirësime të qëndrueshme në këtë fushë. Shqipëria përballet gjithashtu me sfida të rëndësishme në lidhje me flukset financiare të paligjshme, të nxitura nga korrupsioni i përhapur, rritja e organizatave kriminale, evazioni fiskal dhe pastrimi i parave përmes transaksioneve tregtare. Gjatë periudhës së fundit, Shqipëria përjetoi një nivel të lartë të flukseve financiare të paligjshme, që përfaqëson një pengesë madhore për zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit. Janë thuajse 2.16% të PBB-së paratë e pista që futen në ekonominë shqiptare, ndërsa vendi numëron 859 mijë transaksione korruptive, sipas raportit të SELDI.

Abuzimi me pushtetin publik për përfitime personale është një faktor kryesor në gjenerimin e këtyre flukseve financiare të paligjshme, ku praktikat korruptive janë të rrënjosura në shumë sektorë. Këto praktika shpesh përfshijnë transaksione financiare ndërkufitare, duke e vështirësuar edhe më tej luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni i nivelit të lartë është veçanërisht i përhapur, ku figura politike shpesh përfshihen në veprimtari korruptive, duke përdorur pasuri të patundshme dhe llogari jashtë vendit për pastrimin e fondeve të paligjshme.

Pastrimi i parave në Shqipëri është ngushtësisht i lidhur me skema komplekse që përdoren nga kriminelët dhe zyrtarët e korruptuar për të maskuar origjinën e fondeve të paligjshme. Këto skema përfshijnë shpesh një rrjet të ndërlikuar transaksionesh financiare, përfshirë përdorimin e kompanive fantazmë, llogarive offshore dhe kontratave të falsifikuara, për të zhvendosur dhe fshehur përfitimet e paligjshme. Sektorët më të ndjeshëm ndaj pastrimit të parave janë pasuritë e patundshme dhe turizmi, ku shpesh integrohen të ardhurat e paligjshme në ekonominë formale.

Për të zgjidhur problemin e një shteti të kapur dhe një korrupsioni sistemik, duhet të kemi minimalisht një vullnet politik të sinqertë dhe të fortë. Kjo do të thotë të njohim hapur problemet dhe të marrim masa reale dhe afatgjata për zgjidhjen e tyre. Përpjekjet që janë bërë deri më tani, si paketat legjislative antikorrupsion dhe të propozuara nga opozita, shpesh kanë dështuar për shkak të mungesës së vullnetit politik të mazhorancës për t’i përmbushur këto qëllime. Debatet parlamentare të viteve të fundit kanë treguar që korrupsioni është mohuar sistematikisht nga mazhoranca aktuale, duke prodhuar dhe shpesh fabrikuar qëndrime të cilat përpiqen të minimizojnë problemin dhe të zbehin efektet e tij reale.

Ka një tendencë të frikshme për të dobësuar kuadrin ligjor që synon të rregullojë sistemin e drejtësisë së re, dhe kjo është e papranueshme. Reforma që sapo janë miratuar, ndryshohen sërish nga të njëjtët njerëz që i miratuan më parë, pa asnjë analizë të thelluar dhe pa përfshirjen e të gjithë aktorëve politikë dhe shoqërorë. Ky lloj cirku ligjor nuk i shërben qytetarëve dhe nuk kontribuon në forcimin e institucioneve të vendit, përkundrazi i bën ato më të dobëta dhe të brishta ndaj kapjes nga interesat e ngushta të një pakice.

Plaga e Shqipërisë mund të shërohet vetëm me një vullnet të vërtetë politik. Ky vullnet është i cunguar për sa kohë që Kuvendi e trajton opozitën si një numër dhe jo si një realitet që duhet dëgjuar dhe kërkuar për dialog e komunikim. Qeveria që refuzon përpjekjet bipartizane dhe merr vendime pa konsultime të gjera e realiste me opozitën nuk mund të ndërtojë një shtet të fortë dhe të qëndrueshëm që lufton korrupsionin në mënyrë efektive. Nevojitet një dialog i sinqertë, ku të gjitha palët politike dhe aktorët shoqërorë të punojnë së bashku për një Shqipëri të pastër dhe të lirë nga korrupsioni.

Shqipëria ka nevojë për një transformim të plotë të mënyrës së qeverisjes, një përkushtim të palëkundur ndaj transparencës dhe një luftë pa kompromis ndaj atyre që përfitojnë nga korrupsioni. Partnerët ndërkombëtarë duhet të ndihmojnë për të forcuar institucionet e pavarura dhe për të promovuar një dialog të hapur, që të mund të çojë në zbatimin e vërtetë të reformave dhe përmbushjen e standardeve europiane.

Në këtë rrugë drejt integrimit, duhet të kemi parasysh se korrupsioni nuk luftohet vetëm për të kënaqur standardet e BE-së, por mbi të gjitha për të përmirësuar jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Qytetarët meritojnë një qeverisje që është transparente dhe që punon për interesat e tyre, jo për përfitime të ngushta personale apo të lidhura me interesat e disa individëve të fuqishëm. Shqipëria nuk ka luksin të humbasë më shumë kohë. Koha për të vepruar është tani, dhe është në dorën tonë të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për të gjithë qytetarët tanë.

(Arena e Lajmit)


Arena e Lajmit

“Vendi ynë nën korrupsion sistematik”, shqetësimi i Tabakut: Shqipëria ka 2.6% të PBB të saj nga paratë e pista

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook