Ervin Salianji, ish-deputet i PD-së, ka reaguar me një letër nga burgu lidhur me masakrën e ndodhur pasditen e së mërkurës në Shkodër, ku 3 persona humbën jetën, pas një atentati mafioz, ndërsa një i katërt ndodhet në spital, në luftë për jetën.
Një nga viktimat, një grua, nuk kishte lidhje me ngjarje, por bashkë me bashkëshortin e saj, u aksidentuan rëndë nga automjeti ku ndodheshin viktimat. Nga atentati mafioz humbën jetën Hamza Lici, vëllai i Ibrahim Licit, dhe Arlind Bushati, djali i ish-kandidatit të PD për bashkinë Shkodër, Xhemal Bushati, që udhëtonin në të njëjtin automjet.
Salianji në reagimin e tij e konsideron ngjarjen e rëndë një kronikë të paralajmëruar, ndërsa thekson se “degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin!”
“Humbja e jetës së qytetarëve të pafajshëm, guximi për të vrarë në mes të qytetit dhe humbja e autoritetit të shtetit janë tragjedi që parakalon në sytë e të gjithëve!
Kronikë e një ngjarje të paralajmëruar ishte tragjedia e Shkodrës ku mbetën të vrarë qytetarë të pafajshëm! Policia nuk reagon ndaj kërcënimit me vdekje ndaj një të riu, e pafuqishme ta parandalojë krimin, e pafuqishme të kapë autorët, e pafuqishme të reagojë më shumë se agjensitë e lajmeve.
Është tmerr më vete se si qeveria i shkel syrin krimeve në varesi te kalkulimeve elektorale, asnjë reagim qeveritar për vrasjet, ministri që belbëzon dhe rri para kamerave sikur i kanë drejtuar armën nuk guxon dot as të dënojē vrasjet dhe as të marrë masa, sepse ministri është i lejuar të fusë hundët tek parfumi i Elda Hotit për ta propoganduar si helm i shkatërrimit në masë por askush i thyejnë hundët nëse i fut tek punët e policisë, ata i emëron krimi e janë në shërbim të partisë shtet! Prandaj i turren protestuesve dhe zbythen nga kriminelet, prandaj nderojnë banditët dhe dhunojnë hallexhinjtë!
Degradimi i rendit dhe sigurisë publike, frika që kanë qytetarët për jetën, pronën, shëndetin, sigurinë nuk mund të zgjidhet nga ata që kanë krijuar problemin!
Ne do ti çmontojmë bandat me forcën e ligjit e do të mbajmë përgjegjës çdo kriminel e cdo pupac që i shërben atyre! Drejtësia vonon por nuk harron!”, shkruan Salianji.