Një 21-vjeçar ka përfunduar në prangat e policisë së kryeqytetit, pasi ishte shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje.
Blutë njoftojnë se i riu është lokalizuar në afërsi të stadiumit “Dinamo”, ndërsa tani do të përballet me akuzat për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Njoftimi:
Shërbimet e Seksionit për Operacionet Speciale në DVP Tiranë, në vijim të punës për lokalizimin, kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë penale të shtetasve të shpallur në kërkim, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Around”.
Si rezultat i këtij operacioni, në afërsi të stadiumit “Dinamo”, është lokalizuar dhe arrestuar shtetasi A. Ll., 21 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278/1 i Kodit Penal.
Materialet i kaluan Prokurorisë.