Nëntori, muaji i problemeve/ Silvinjo vuan për një… qendërsulmues, si do të shfaqet Shqipëria në Ligën e Kombeve

“Pushimeve” të stafit të ekipit kombëtar po u vjen fundi.

Silvinjo dhe ndihmësit e tij kanë filluar të përpilojnë listën e futbollistëve që do të grumbullojnë këtë muaj dhe mes shumë pengesash dhe pritje, ata duhet të formojnë një grup lojtarësh që do të duhet të fitojë me Çekinë dhe Ukrainën, dy ndeshjet që Kombëtarja shqiptare luan në shtëpi, më 16 dhe 19 nëntor për kompeticionin e Ligës së Kombeve.

KUMBULLA MUNGON Në dy ndeshjet e shtatorit Marash Kumbulla luajti shumë mirë, ndërkohë performanca e tij erdhi në rënie gjatë takimit në Çeki, duke detyruar Silvinjon që me Gjeorgjinë të aktivizonte Ajetin. Aktualisht të gjithë mbrojtësit e qendrës janë të gatshëm, përveç Marashit, i cili ka pësuar një dëmtim në muskujt aduktorë të këmbës së majtë dhe për këtë do të humbasë ndeshjen e radhës kundër Valencias. Ky ishte konfirmimi i klubit të Espanjolit për situatën e mbrojtësit. Megjithatë, me rikthimin e kapitenit Gjimshiti dhe Ismajlin krah tij, alternativat në stol nuk mungojnë me Ajetin dhe Mihajn, që po luajnë rregullisht dhe japin garanci në këtë repart.

MANAJ-ASLLANI “Tërmet” e quajtën mediat turke njoftimin për mungesën e Rei Manajt në ndeshjen e fundit për Sivasporin, vetëm dy orë përpara se takimi të fillonte. Kur të gjithë e prisnin sulmuesin titullar, klubi njoftoi për dëmtimin e tij muskulor. Nuk dihet koha e rikuperimit të Manajt, por një dhimbje koke ka nisur për Silvinjon, duke qenë se ai shihet si sulmuesi kryesor te kuqezinjtë. Nëse në sulm braziliani i stolit mund të gjejë një “pykë”, situata e Kristjan Asllanit është edhe më shqetësuese. Mesfushori mbetet truri i ekipit dhe përveçse nuk ka marrë asnjë minutë nga ndeshja në Gjeorgji ku shënoi golin e fitores, po has edhe një shqetësim në gju, çka ka detyruar Interin që ta lërë pushim në ndeshjen e së dielës me Venecian. Edhe për të nuk dihet nëse do të jetë gati deri javën tjetër.

BARE-DAKU Nëse në tetor Silvinjo kishte llogaritur Keidi Baren në listë (u shpreh vetë në konferencë), ai dëmtim i mesfushorit nuk mundësoi përfshirjen e tij në ekip. Por, mesa duket e njëjta situatë po vijon edhe këtë muaj. Bare është sërish jashtë për shkak dëmtimi dhe nuk dihet nëse do të jetë gati për Kombëtaren shqiptare në ndeshjet e nëntorit. Ndërkohë, një tjetër mungesë do të jetë vetëm për ndeshjen e parë, ajo e Mirlind Dakut, i cili ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe nuk do të jetë në dispozicion. Ky është një fakt shqetësues sepse problemet në sulm janë evidente. Broja nuk është, Manaj në dilemë, Daku i pezulluar dhe Indrit Tuci i cili po ashtu ka qenë jashtë në dy ndeshjet e fundit, alternativat e vetme për qendrën mbeten Myrto Uzuni dhe Taulant Seferi. Të dy lojtarët shihen nga Silvinjo si sulmues krahu dhe spostimi i tyre në qendër për aq minuta sa u aktivizuan në ndeshjet e fundit, rezultoi i pasuksesshëm.


Arena e Lajmit

Nëntori, muaji i problemeve/ Silvinjo vuan për një… qendërsulmues, si do të shfaqet Shqipëria në Ligën e Kombeve

Ju mund të regjistroheni në buletinin tonë të lajmeve plotësisht falas

Mos e humbisni mundësinë për t'u informuar për lajmet më të fundit dhe eksluzive, filloni tani abonimin tuaj falas me e-mail.

Welcome

Instalo aplikacionin tonë
×
Na ndiqni

Na ndiq në Facebook